Kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici, një ditë pasi kryeministri Edi Rama e vendosi drejtues politik të PS-së për këtë qark, është shprehur se deputetja aktuale e këtij qarku Mimi Kodheli, nuk ka qenë asnjëherë në këtë qytet për hallet e qytetarëve.
“Ajo ka problemet e veta nuk ka lidhje me punën time. PS e solli si kryesuese e deputetëve të listës për qarkun e Kukësit, e mbështetëm dhe sot ka mandatin, por nuk kemi sistem tjetër zgjedhor, dhe kandidatët me më shumë vota përfaqësohen në parlament, nëse do ndiqnim këtë model mandatin do ta kisha unë jo Kodheli. Ajo s’ka qenë asnjëherë këtu për hallet e Kukësit”, është shprehur në një intervistë për Fax News Gjici.
Por në lidhje me këtë deklaratë, Gjici duket se ka reflektuar dhe ka menduar të tërhiqet duke bërë një sqarim në facebook.
“Të nderuar miq dua të bëj një reagim të detyruar në lidhje me keqinterpretimin që i është bërë deklaratës sime sot në media.
Unë kam patur dhe vazhdoj që të kem marrëdhënie dhe bashkëpunim të shkëlqyer me ish të deleguarin politik të qarkut Kukës z. Ilir Beqja dhe deputeten znj. Mimi Kodheli ku kemi bërë shumë punë së bashku
Në familjen tonë politike të gjithë jemi për një qëllim,fitoren e Partisë Socialiste.”, shkruan Gjici./abcnews.al