Kreu i Shtetit, Ilir Meta pret sot në orën 09:00 në një takim në Presidencë, krerët e partive opozitare, që janë jashtë parlamentit. Siç shihet edhe në foto, mësohet se disa prej tyre kanë mbërritur tashmë në Presidencë.
Takimi vjen pak ditë pasi Presidenti Ilir Meta u bëri ftesë publike dhe kërkoi të takohet me të gjithë kryetarët e Partive, për të diskutuar lidhur me situatën ku ndodhet vendi.
Në fakt ky është takimi i parë që presidenti Meta merr pas krizës që ndodhi në zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Meta edhe atëherë tentoi dhe zhvilloi takime me përfaqësuesit e opozitës.
Meta do të zhvillojë sot takime me Këshillin e Ambasadorëve, ish-Ministra të Jashtëm dhe përfaqësues të lartë diplomatik. Më pas Meta do të ketë edhe takime me ish-presidentët e Republikës.
Meta ka deklaruar se do të konsultohet me të gjithë faktorët dhe aktorët politikë, për të marrë vendime të forta. Gjithashtu Presidenti, do të zhvillojë takim edhe me ish-ministrat e drejtësisë, me sa duket për të diskutuar lidhur me Gjykatën Kushtetuese.
Mbetet për tu parë se çfarë vendimesh do të marrë Kreu i Shtetit pas takimeve dhe konsultave me ta./abcnews.al