Erling Haaland është një surprizë shumë e bukur e këtij sezoni. Norvegjezi i Salzburg po shënon pafund. Ai kryeson renditjen e golashënuesve të Champions League me 7 gola të shënuar pas katër ndeshjeve të zhvilluara në fazën e grupeve.
Shumë klube të mëdha janë vënë pas tij dhe po tentojnë të arrijnë një akord me kampionët e Austrisë. Të gjithë janë fiksuar pas sulmuesit potent. Ai është vetëm 19 vjeç dhe pritet të përmirësohet edhe më shumë. Juventus dhe Napoli e pëlqejnë shumë, por karriera e tij mund të vazhdojë në Bundesligë.
Bild raporton se Leipzig është gati të arrijë akordin me lojtarin dhe Salzburg. Të dy klubet sponsorizohen nga Red Bull dhe marrëdhëniet mes tyre janë të shkëlqyera. Babai i Haaland ka vizituar këto ditë qendrën stërvitore të klubit gjerman, aty ku ka biseduar rreth një akordi të mundshëm.
Haaland dëshiron t’i hedhë hapat një nga një për të kaluar më vonë në një klub të madh. Mosha e re ia lejon diçka të tillë, rëndësi ka të vazhdojë me shënimin e golave dhe dhurimin e fitoreve për Salzburg. /abcnews.al