“Klubet janë kërcënuar, UEFA nuk pranon të flasim”, reagimi i tre klubeve të Superligës

schedule10:36 - 8 Maj, 2021

schedule 10:36 - 8 Maj, 2021

Ditën e djeshme 9 klubet e tërhequra nga krijimi i Superligës kanë nënshkruar një marrëveshje me UEFA-n dhe nëse të ardhmen luajnë në këtë kompeticion, do të duhet të paguajnë 100 milion euro gjobë. Veç kësaj, nëse futen në tratativa për diçka të tillë, atëherë do gjobiten me 50 milion euro.

Në marrëveshje thuhet se 9 klubet do të respektojnë statutin e UEFA-s, do ushtrojnë gjithë fuqinë e tyre ligjore për të ndaluar krijimin e Superligës, do të bëjnë donacion 15 milion euro për futbollin e fëmijëve, të rinjve dhe futbollin bazë në komunitetet lokale anembanë Europës dhe Britanisë së Madhe, si dhe do të heqin dorë nga 5 për qind e të ardhurave nga kompeticionet europiane sezonin e ardhshëm.

9 klubet kanë nënshkruar së bashku një “Deklaratë të Angazhimeve” dhe Paneli i Emergjencës së Komitetit Ekzekutiv e ka pranuar. Të gjitha këto klube pranojnë se projekti i Superligës ishte një gabim dhe u kërkojnë falje tifozëve, federatave, ligave, klubeve europiane dhe vetë UEFA-s. Gjithashtu klubet kanë pranuar se projekti binte ndesh me statutet dhe rregulloret e UEFA-s.

Ndërkohë, pas mbledhjes presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, u shpreh: “Klubet i pranuan gabimet dhe reaguan dhe treguan angazhimin e tyre për të ardhmen e futbollit europian. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për klubet që mbeten të përfshira në të ashtuquajturën Super League. UEFA do të merret më pas me ato klube”, duke iu referuar Real Madridit, Barcelonës dhe Juventusit.

Pas kësaj, siç u paralajmërua ditën e djeshme tre klubet e lartpërmendura kanë dalë me një deklratë zyrtare të përbashkët, ku tregojnë se 9 klubet që kanë firmosur marrëveshjen janë ndeshur me kërcënime nga UEFA . Këta klube këmbëngulin për krijimin e Superligës, por shtojnë se janë të qartë se ka nevojë për ndryshime.

Ata qartësojnë se prej javësh i kanë kërkuar UEFA-s dhe FIFA-s dialog në lidhje me këtë kompeticion në tentativë, por dy qeveritë më të mëdha të futbollit kanë ndërprerë çdo kanal komunikimi. Ata këmbëngulin se vendimi për krijimin e Superliugës, do e shpëtojë ekonomikisht futbollin dhe do ruajë interesin e tifozëve, sipas tyre çdo ditë e në ulje.

DEKLARATA – Klubet themeluese kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin presione dhe kërcënime të papranueshme nga palët e treta në mënyrë që të tërheqin projektin e propozuar dhe,si pasojë, të heqin dorë nga e drejta/detyra e tyre për të siguruar zgjidhje për futbollin përmes propozimeve konkrete dhe dialogut konstruktiv.

Kjo është e patolerueshme nga një pikë e ligjit dhe drejtësia (gjykata) tashmë ka vendosur në favor të propozimit të Superligës, duke urdhëruar FIFA dhe UEFA të përmbahen, direkt dhe përmes anëtarëve të tyre, nga ndërmarrja e çdo veprimi që mund të rrezikojë iniciativën në çdo mënyrë, në pritje të procedurave.

Projekti i Superligës u konceptua bashkërisht nga 12 klubet themeluese, me qëllimin e ofrimit të zgjidhjeve për situatën aktuale të paqëndrueshme në sektorin e futbollit. Të 12 klubet themeluese ndanë të njëjtin shqetësim, ashtu si palët e tjera të interesit në futbollin evropian, veçanërisht në kontekstin aktual socio-ekonomik, se reformat strukturore janë të domosdoshme për të siguruar që sporti ynë të mbetet me interes dhe të mbijetojë në planin afatgjatë.

Për t’iu përgjigjur kësaj, më 18 Prill ata njoftuan gatishmërinë e tyre për të krijuar Superligën dhe për të krijuar një kanal komunikimi me UEFA-n dhe FIFA-n, në një frymë konstruktive bashkëpunimi midis palëve, siç u ishte njoftuar secilës prej tyre në të njëjtën mënyrë.

Me respektin maksimal për mjediset aktuale dhe ekosistemin e futbollit, klubet themeluese kanë rënë dakord shprehimisht që Superliga do të zhvillohet kur të njihet nga UEFA, FIFA ose të dyja, ose kur, në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi, të konsiderohet si një kompeticion i pajtueshëm në të gjitha aspektet me ekzistencën e vazhdueshme të klubeve themeluese në kompeticionet e brendshme përkatëse.

Sidoqoftë, përkundër këtyre rrethanave, UEFA dhe FIFA deri më tani kanë refuzuar të krijojnë një kanal komunikimi. Kjo ndodh për të sjellë stabilitet financiar për të gjithë familjen evropiane të futbollit, e ndikuar aktualisht nga një krizë e thellë që kërcënon mbijetesën e shumë klubeve.

Provë e kësaj janë zotimet e njoftuara për alokimin vjetor të fondeve të solidaritetit me një shumë të garantuar, krahasuar me ato të shpërndara nga UEFA dhe për të forcuar rregullat e qëndrueshmërisë financiare, përmes krijimit të një sistemi të qartë, transparent dhe efektiv të kontrollit, subjekt i kontrolleve nga pjesë e ekspertëve.

Të 12 klubet themeluese diskutuan sesi Superliga përfaqëson një mundësi unike për t’u ofruar tifozëve në të gjithë botën shfaqjen më të mirë të mundshme dhe për të forcuar interesin global në futboll, i cili nuk është një fakt i pandryshueshëm dhe i nënshtrohet tendencave të reja të gjeneratave. Për më tepër, ata menduan se një nga objektivat kryesorë është promovimi i futbollit të femrave në një shkallë globale, një mundësi e madhe, por aktualisht e nënvlerësuar.

Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për larminë e reagimeve ndaj iniciativës së Superligës dhe, rrjedhimisht, për nevojën për të reflektuar për disa prej tyre. Ne jemi të gatshëm të rishikojmë qasjen e propozuar. Sidoqoftë, do të ishim shumë të papërgjegjshëm nëse, të vetëdijshëm për nevojat dhe krizën sistematike të sektorit të futbollit, që na bëri të shpallim Superligën, të braktisim misionin e sigurimit të përgjigjeve efektive dhe të qëndrueshme për çështjet ekzistenciale që kërcënojnë sektorin e futbollit.

Ne jemi të pikëlluar kur shohim që klubet, miqtë tanë dhe partnerët themelues të Superligës, tani janë në një pozitë jo-konsistente dhe kontradiktore, duke nënshkruar angazhime të shumta me UEFA-n dje. Sidoqoftë, ne kemi për detyrë të veprojmë me përgjegjësi dhe të këmbëngulim në arritjen e qëllimeve tona, pavarësisht presioneve dhe kërcënimeve të vazhdueshme dhe të papranueshme nga UEFA.

Mbi të gjitha, ne u përsërisim FIFA, UEFA dhe të gjithë aktorëve të futbollit, siç kemi bërë në shumë raste që nga njoftimi i Superligës, angazhimin tonë dhe vullnetin tonë të vendosur për të diskutuar së bashku, me respekt dhe në përputhje me parimet e ligjit, por pa presione të patolerueshme, zgjidhjet më të përshtatshme për qëndrueshmërinë e të gjithë familjes së futbollit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!