KLSH e kapi me shkelje, ish-drejtori i ALUIZNIT borxh shtetit 50 milionë lekë

schedule19:28 - 15 Mars, 2024

schedule 19:28 - 15 Mars, 2024

Pesëdhjetë milionë lekë të vjetra i detyrohet shtetit ish-Drejtori i ALUIZNIT, Mariel Murati, i shpallur në kërkim prej 48 orësh me urdhër të Prokurorisë së Sarandës për ndërtimin e paligjshëm të një hoteli 7 katësh.

Siç zbulohet nga një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i dërguar në 31 korrik 2023 në ASHK Sarandë, Mariel Murati në vitin 2019 është pajisur me një tjerër leje legalizimi. Bëhet fjalë për lejen me nr. 1042561 datë 21.02.2019 për “Shtesë anësore 4 kate dhe në lartësi 1 kat me funksion social-ekonomik” dhe i pajisur me certifikatë pronësie për pasurinë nr. 26/385 rregjistruar në vol.23, faqe 174 me sipërfaqje 188 m2 “ND” dhe sipërfaqje të parcelës ndërtimore 470 m2 në emër të tij.

Atij nuk i është përllogaritur vlera e truallit, sipërfaqja e parcelës ndërtimore prej 470 m2 bazuar në VKM e miratuar sipas zonës kadastrale, duke shkaktuar të ardhura të munguara në shumën prej 5.065.190 lekë. Nuk dihet për cilin objekt dhe truall bëhet fjalë, por KLSH i ka rekomanduar ASHK Sarandë që të njoftojë poseduesin Mariel Murati që të kryejë këtë pagesë dhe deri sa të ndodhë kjo gjë, në kartelën e pasurisë së tij të vendoset “Kufizim i përkohshëm”.

Nga ana tjetër prokuroria e Sarandës mësohet se ka caktuar ditën e shtunë si ditën kur do të paraqiten para Gjykatës se Sarandës për vlerësim të masës së sigurisë 6 zyrtarët e arrestuar dhe 2 zyrtaret femra që janë lënë të lira deri në njohjen me masën e sigurisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!