KLSH: 35 mijë kontribuues më pak për pensionet, problem bujqësia

schedule16:42 - 22 Tetor, 2021

schedule 16:42 - 22 Tetor, 2021

Nga Erblina Mile

Borxhi në skemën e sigurimeve shoqërore ka pësuar një thellim gjatë 2020. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka realizuar një auditim në këtë instuticion ku rezulton se ka pasur një rritje të defiçit në skemën e pensioneve të qytetit por edhe të fshatit. Për shkak të pandemisë rezulton se gjatë vitit 2020 ka pasur një ulje të ndjeshme të numrit të kontribuesve. Konstatohet se janë 35,085 kontribues më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Deficiti i skemës së qytetit për vitin 2020 është në shumën 19.2 mld lekë duke u rritur me 5% krahasuar me një vit më parë. Trend më të fortë përkeqësimi ka ndjekur edhe deficiti i përgjithshëm i skemës së fshatit i cili ka pësuar  një rritje prej 12,5% ndaj një  viti me parë. Në vitin 2020 krahasuar me planin, deficiti është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2019, në shumën 525,423 milion lekë.

Në raportin e KLSH theksohet se shpenzimet e skemës së fshatit sipas programeve, krahasuar me të ardhurat e mbledhura janë mbuluar kryesisht nga buxheti i shtetit. Diferencën më të madhe rezulton se e ka dega e barrëlindjeve, në të cilën të ardhurat per vitin 2020 mbulojnë vetëm 28,7% të shpenzimeve.

Problem për skemën e pensioneve në vend mbetet kontributi i të vetëpunësuarve në bujqësi. Në raportin e KLSH janë konstatuar edhe  disa shkelje midis të cilave dublim pagesash, pagesa pas vdekjes, pagesa marrë tepër ose pagesë jashtë afatit.

NUMRI I KONTRIBUESVE

2019        729.821  PERSONA

2020       694 .736 PERSONA

DEFICITI I SKEMËS SË PENSIONEVE TË QYTETIT

2019       18.1 mld lek

2020        19.2 mld lekë

/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!