Klosi për turizmin: Pasaportë për çdo zonë të mbrojtur

schedule17:11 - 15 Prill, 2019

schedule 17:11 - 15 Prill, 2019

Zona e Shkodrës do të ketë tashmë kalendarin e saj turistik, i cili parashikon rreth 200 festa lokale të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin e turizmit. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi nga Shkodra se krijimi i pasaportave për çdo zone të mbrojtur, do t’i kthente ato në destinacione të mirëfillta turistike.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit me Shoqatat e Turizmit kanë realizuar kalendarin e parë me 168 festa lokale, që do të organizohen gjatë 2019 me qëllim promovimin e zonës së Shkodrës si destinacion turistik.

I pranishëm në aktivitet ministri Klosi deklaroi se ky kalendar ka për qëllim sigurimin e një pasaporte për çdo zonë të mbrojtur dhe shndërrimin e tyre në destinacione turistike.

“Zona e liqenit të Shkodrës padyshim mund të shndërrohet fare lehtë në një destinacion të vërtetë turistik, që është jo vetëm i bukur, jo vetëm mikpritës, por që ka edhe rregulla menaxhimi. E kush më mirë se komuniteti që jeton me liqenin, që e shfrytëzon atë, do duhej të ishte disktutanti i pare për këtë temë. Padyshim që e kemi mundësinë që këtu të jetë një pikë ku të gjithë të ndalojnë. Dhe investimet që po bën buxheti i shtetit nëpërmjet fondit shqiptar të zhvillimit me një projekt transformues të zonës, për ta bërë atë një qytet karakteristik të gjithë rajonit të Mesdheut”, tha Klosi.

Ministri Klosi theksoi se gjatë këtij viti do të organizohen rreth 200 festa lokale, që nuk do të jenë vetëm sezonale, por gjatë gjithë vitit.

“Qarku i Shkodrës ka evidentuar plot 168 festa fetare, lokale, të turizmit, agroturizmit të cilat mund të jenë një spunto e vërtetë që në qoftë se kemi mundësinë që këtë ta promovojmë, të kemi se ku të çojmë turistët apo ku t’i çojmë pushuesit Shkodranë, Lezhjanë, Tiranasit. Vjet ne tentuam për të organizuar festën e Krapit këtu në liqenin e Shkodrës. Është një ide që do ta mbështesim këtë vit, për të pasur mundësinë që jo vetëm të vijnë dhe të kemi një ekspoze të gjithë këtyre lokaleve që prodhojnë këtë produkt kaq interesant dhe me kaq emër në të gjithë Shqipërinë. Ne duhet të kemi një garanci dhe kjo garanci na duhet dhënë që sot nga operatorët e hoteleve dhe restoranteve të gjithë qarkut”, tha ai.

Sipas Klosit duhet që t’i japim më shumë vrull turizmit, në mënyrë që të kemi më shumë zhvillim ekonomik dhe më shumë biznese që ofrojnë shërbime cilësore në turizëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!