Klosi në Morinë me të rinjtë e “Smile Albania”: Këtë vit, 6 milionë turistë

schedule10:27 - 23 Gusht, 2018

schedule 10:27 - 23 Gusht, 2018

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi ishte në pikën kufijtare të Morinës, sëbashku me kryetarin e bashkisë Kukës dhe përfaqësues të komunës së Prizrenit, nga ku bëri thirrje për më tepër bashkëpunim të dy anëve të kufirit për mbajtjen pastër të mjedisit dhe zhvillimin e turizmit.

Të rinjtë e projektit “Smile Albania” kanë nisur pastrimin e zonës së të dyja anëve të kufirit në pikën doganore të Morinës, aksion të cilin ministri Klosi e quajti jo vetëm simbolik, por edhe shumë të nevojshëm në këto ditë fluksi në këtë pikë kufijtare.

“Vetëm në katër orët e para të mëngjesit, 04.00-08.00, kanë hyrë 32 mijë shtetas kosovarë që i janë drejtuar bregdetit shqiptar për pushime, duke shfrytëzuar pas festës së Bajramit, 10 ditëshin e fundgushtit, por edhe dy javëshin e parë të shtatorit dhe vetëm sot në një ditë, pritet që të kalojë numri 70 mijë i shtetasve kosovarë që vijnë për turizëm në Shqipëri. Pra është një numër i konsiderueshëm, që të çon te debati për praninë e turistëve të huaj, një debat që nuk ka shumë vlerë, por vlera më e madhe është që ne duhet të vazhdojmë të presim turistët e huaj. Shqipëria, pa dyshim, edhe në këtë vit, do të kalojë numrin e 5.5 milionë turistëve të huaj dhe po t’i shtojmë edhe turistët shqiptarë në shifra që kthehen në 6 milionë turistë që kanë shfrytëzuar bregdetin dhe pasuritë tona natyrore”.

Ministri Klosi theksoi se ka ardhur koha që të dyja anët e bjeshkëve të trajtohen me projekte rajonale mjedisore dhe turistike për zgjidhjen e problematikave dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit. Nga ana e tij kryetari i bashkisë Kukës, Bashkim Shehu, u bëri thirrje banorëve të Kukësit dhe dy ministrive të linjës, në Shqipëri e Kosovë, për të kontribuar sa më shumë për mjedisin në Kukës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!