17 qershori është dita e rinisjes së Premier League. Liverpool është shumë afër fitimit të titullit kampion, trofe që mungon prej 30 vitesh në “Anfield”. Fakti që ndeshjet do të zhvillohen pa tifozë, është diçka negative, por Klopp nuk e ka problem diçka të tillë.
Trajneri gjerman është i fokusuar të triumfi final dhe thekson për beIn Sports se do të vijë dita që do të festohet ashtu siç duan të gjithë, skuadra, ai dhe tifozët e zjarrtë të “The Reds”.
“Edhe nëse do të shpallemi kampionë në një stadium bosh, me mesazhet, fjalët dhe lutjet e njerëzve që na duan dhe e duan Liverpoolin, do të jetë gjithsesi një ditë e shkëlqyer e jetës time. Nuk e di se çfarë do të ndodhë dhe ku.
Shpresojmë të shpallemi kampionë në Anfield, por nuk mund të jemi të sigurt. Një ditë më parë dëgjova se Liverpool ka tifozët më të mirë në botë. Tani kemi nevojë që tifozët më të mirë të na mbështesin nga shtëpitë e tyre.
Me siguri do të ketë një moment në jetën tonë kur do të na lejohet të festojmë titullin bashkë me ta. Kur të ndodhë kjo gjë, do ta festojmë në mënyrë korrekte. Shumica e njerëzve në këtë planet nuk do të kenë kurrë mundësi të fitojnë Premier League.
Ne e kemi mundësinë dhe duhet ta shfrytëzojmë. Nuk ka shumë rëndësi stadiumi, mund t’ia dalim dhe kaq. Jemi të lumtur që do të rikthehemi për të luajtur, e kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë“, thekson Jurgen Klopp. /abcnews.al