Ndeshje pas ndeshje, Liverpool i Jurgen Klopp po fillon të ngjisë pozicionet në renditjen e Kampionatit anglez të futbollit, teksa pas 32 ndeshjesh, “të kuqtë” janë në vendin e 7-të, me 53 pikë të grumbulluara dhe janë pjesë e garës së “ethshme” për një vend në kompeticionet evropiane sezonin e ardhshëm.
Mirëpo, teksa gara është ende e hapur si për një vend në Europa League, por dhe në Champions League, tekniku Jurgen Klopp nuk ka bërë “diferencime” mes kompeticioneve dhe një gjë të tillë e tha në konferencën për shtyp të zhvilluar ditën e sotme në prag të përballjes të së dielës ndaj Tottenham.
Tekniku gjerman tha gjatë konferencës se ky sezon i ka mësuar shumë, teksa shtoi se do të përpiqet që djemtë e tij të dhurojnë futboll të bukur, si në Champions por edhe në Europa League.
“Ne do të marrim atë që marrim. Natyrisht që nuk e prisnim, por ky sezon na ka mësuar disa gjëra. Nëse është Europa League, ne do të luajmë në Europa League.
Dua të luaj futbollin më të mirë të mundshëm. Duhet të jemi të fokusuar në lojë. Ajo që do të ndodhë në javët në vijim do të jetë shumë e rëndësishme për sezonin e ardhshëm”,- tha trajneri gjerman gjatë konferencës. /i.m /abcnews.al