Liverpool luan nesër jashtë fushe kundër Tottenham (18:30) dhe ekipi i Jose Mourinhos do të bëjë të pamundurën për t’i shkaktuar humbjen e parë kryesuesve të Premier League. Jurgen Klopp do të ketë dy mungesa për sfidën e nesërme.
Siç i konfirmoi edhe në konferencën për shtyp, James Milner dhe Naby Keita nuk do të jenë të pranishëm përballë Spurs. Të dy mesfushorët kanë probleme fizike dhe pritet të qëndrojnë rreth 2 javë jashtë fushave.
Të dëmtuar janë edhe Fabinho me Dejan Lovren. Të dy këta lojtarë nuk kanë probleme të mëdha dhe pritet të nisin përgatitjet me ekipin javën e ardhshme.
“The Reds” kryesojnë kampionatin anglez me 58 pikë dhe diferenca me Leicesterin ndjekës është 13 pikë, teksa ekipi i Klopp ka për të luajtur edhe një ndeshje më shumë. /abcnews.al