Liverpool-Atalanta pritet të jetë një ndeshje shumë e bukur dhe plot gola. “The Reds” presin skuadrën italiane në “Anfield” mbrëmjen e nesërme, sfidë e vlefshme për grupin D në Champions League.
Edhe pse kampionët e Anglisë dominuan dhe fituan 0-5 takimin e luajtur në Bergamo, Jurgen Klopp vlerëson Atalantën dhe i bën thirrje për kujdes e përqendrim.
“Atalanta është një ekip kërcënues, duhet të kemi shumë kujdes ndaj tyre. Në Bergamo zhvilluam një ndeshje të jashtëzakonshme dhe gjithçka na shkoi në mënyrën më të mirë.
Nesër duhet ta fillojmë nga e para, do të jetë një sfidë ndryshe nga ajo e luajtur në Itali. Ata nuk patën sukses në takimin e parë, por është shumë e vështirë të luash ndaj tyre.
Salah? Momo është stërvitur dje dhe ndodhet në gjendje të mirë. Sa i përket lojtarëve të dëmtuar, nuk ka asnjë ndryshim nga situata. Disa janë afër rikthimit, të tjerë jo“, përfundon Klopp. /abcnews.al