Liverpool pret Manchester United në “Anfield” të dielën (17:30). Ky cilësohet si derbi i Anglisë, teksa djemtë e Solskjaer janë të vetmit që kanë arritur t’i marrin pikë Liverpoolit këtë sezon. Jurgen Klopp ka kritikuar lojën mbrojtëse të United në konferencën e tij për shtyp.
Trajneri gjerman ndalet edhe te mundësia që Atletico Madrid, rivali i ardhshëm i “The Reds” në Champions League, mund të blejë Edinson Cavanin, teksa e mbyll me një koment për Kupën e Afrikës, që vitin e ardhshëm do të zhvillohet në muajin janar.
MAN. UNITED – “Është një ndeshje pa favoritë, por është e çuditshme që një ekip kaq cilësor sa United luan kaq shumë në mbrojtje. Nuk e mbaj mend të kem thënë që United vetëm mbron, ndoshta edhe e kam bërë. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për tifozët tanë, njësoj si ajo ndaj Everton. Kundër Spurs ishim në shifrën e 80% të mbajtjes së topit deri në minutën e 70-të. Nëse njerëzit e shohin këtë si kritikë, nuk mund të ndryshoj asgjë”.
CAVANI – “Mendoj se Morata dhe Joao Felix janë mjaft të rrezikshëm. Diego Costa nuk do të luajë në ndeshjen e parë, por ndoshta mund të rikuperohet për ndeshjen e kthimit. Atletico është mjaft e fortë edhe kështu, shpresoj të mos e blejnë Cavanin”.
KUPA E AFRIKËS – “Është një turne mjaft interesant, por është një problem i madh fakti që do të luhet në mes të sezonit. Fakti që kanë vendosur ta zhvendosin në janar është diçka katastrofike për Liverpool”. /abcnews.al