Klivlendi ia doli të ngushtonte shifrat në finalen e Lindjes në basketbollin amerikan. Lebron Xhejms këtë herë nuk ishte vetëm, pasi në fitoren ndaj Bostonit u ndihmua edhe nga shokët e skuadrës.
Reagimi ishte ai që pritej dhe fitorja e madhe.
Klivlend Kavaliers nuk mund të mos e tregonte anën e tij të fortë, të paktën në njërën nga ndeshjet finale të Konferencës Lindore, aq më shumë i vënë me shpatulla pas murit.
Lebron Xhejms ishte sërish i madh, edhe pse nuk pati nevojë të tregohej madhështor, dhe Boston Sëlltiksi u mund thellë, 86-116 në Arenën e Klivlendit.
Nënkampionët e NBA-së tani janë në humbje në këtë seri vetëm me shifrat 1-2 dhe ndeshja e katërt do të luhet duke u gdhirë e marta, sërish në fushën e tyre.
Lebron shënoi 27 pikë e dha 12 asistë, por po ashtu kapi 5 topa në tabela, bllokoi 2 gjuajtje, vodhi dy topa).
Ndryshimi këtë herë ishte se edhe shokët e tjerë të skuadrës më në fund iu përgjigjën ritmit të tij.
Kevin Lov pati 13 pikë e 14 topa në tabela, Tompson 10 pikë, Smith 11, Hill 13 dhe Kajl Korver 14 pikë, duke realizuar të 4 gjuajtjet për tri pikë.
A thua prania e gati 20 000 tifozëve të tyre ndikoi kaq shumë tek forma e tyre?
Xhejms nuk pati nevojë të shënonte 41 apo 42 pikë siç ka bërë në ndeshjet e kaluara në plej of, disa prej të cilave Kavaliersët i kanë humbur.
Nëse ky është versioni i saktë, atëherë skuadra e trajnerit Tajron Lu mbetet pretendente për titullin në NBA. /abcnews.al