Këshilli i Lartë Gjyqësor pranon dorëheqjen e Gjin Gjonit

schedule12:11 - 30 Korrik, 2020

schedule 12:11 - 30 Korrik, 2020

KLGj ka vendosur deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për gjyqtarin e Apelit Tiranë, Gjin Gjoni. Mbledhja po zhvillohet online ndërsa dorëheqja u pranua me 8 vota “pro” dhe dy “kundër”.

Efektet e vendimit fillojnë më 31 korrik 2020. Po ashtu, KLGJ ka pranuar edhe dorëheqjen e Alaudin Malajt.

Kujtojmë këtu se Gjoni vendosi që të largohej nga sistemi i drejtësisë në mes të procesit të hetimit nga Vettingu.

Ai e dorëzoi dorëheqjen nga Gjykata e Apelit dhe Kolegji Zgjedhor në Këshillin e Lartë Gjyqësor, me pretendimin e se nuk ka besim se Vettingu do të vendosë në mënyrë të drejtë.

Në shkresën e siguruar nga Abcnews.al Gjoni ngre akuza ndaj organeve të Vettingut, duke deklaruar se mund ta kalosh atë vetëm nëse i shërben politikës.

“Prej 27 viteve i kam shërbyer me devotshmëri vetëm kushtetutës dhe ligjit, në çdo vendim i jam nënshtruar vetëm interesave të Republikës dhe bindjes time të brendshme për të dhënë drejtësi i pandikuar nga askush, qofshin banditë, politikanë gansterë apo qytetarë me lidhje të fuqishme.

Kam ditur t’i qëndroj me profesionalizëm këtij presioni edhe kur në vendimet e mia gjyqësore u dënuar e gjithë nomeklatura politike, grupet më të rrezikshme kriminale dhe individë me pushtet politik. Fëmijët, nipërit apo mbesat e tyre sot janë në drejtimin e shtetit, si zyrtarët më të lartë”, shkruan Gjoni.

Por prej kohësh sistemi i drejtësisë është në kolaps, lëvizjet dhe sita e vettingut nuk ka të njëjtat parametra dhe as kritere të barabarta për të gjithë, nëse shërbëtor i politikës, nëse vulos dhe firmos pa menduar, pa lexuar dhe pa iu nënshtruar ligjit dhe kushtetutës e kalon, nëse je shpallur armik i partisë nuk shihesh me sy të mirë dhe përfundon në rrugë.

Shumë kolegë të nderuar nuk i janë nënshtruar në mënyrë të barabartë ligjit, shumë kolegë që kanë dënuar eksponentë të krimit të organizuar janë flakur nga sistemi vetëm sepse nuk i do partia ndërkohë që shumë të tjerë kanë kaluar pavarësisht paligjshmërisë së akumuluar sa një mal në ushtrimin e funksionit të tyre

Për këto arsye kërkoj të heq dorë në mënyrë të parevokushme nga statusi i gjyqtarit, dhe njëkohësisht dhe Gjyqtar i Gjykatës së Apelit, dhe për rrjedhojë edhe të anëtarit të Kolegjit Zgjedhor”, shkroi Gjoni. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!