Klevis Dalipi, trajneri i ri i Luftëtarit

schedule15:09 - 29 Korrik, 2019

schedule 15:09 - 29 Korrik, 2019

Klevis Dalipi është trajneri i ri i Luftëtarit. Klubi gjirokastrit prezantoi ish-teknikun e Partizanit, dhe kërkoi nga Federata shtyrjen e Superligës.

Përgatitja do të nisë, por mjaft vonë. Nuk mund të bënin ndryshe tek Luftëtari pa gjetur trajnerin e ri, diçka që u bë tepër e vështirë pas dorëheqjes së ish-presidentit Grigor Tavo dhe asaj që thuhet, largimit të aksionerëve.

Drejtori sportiv, Artur Dade, doli më në fund përpara mediave me njeriun e ri të stolit, ish-trajnerin e Partizanit, Klevis Dalipin. Ai foli edhe për licencimin.

“Për sa i përket çështjes së licencimit ju e dini dhe vetë se si erdhi situata me dorëheqjen e një prej aksionerëve kryesorë siç ka qenë Grigor Tavo. Kërkojmë nga Federata që të shtyjë datën e licencimit. Do të jemi gati për të plotësuar kushtet që kërkon Federata për licencimin”, tha Dade.

Dalipi pohoi se gjendja është e vështirë, por e tregoi objektivin e tij.

“Nuk premtoj që do bëj më mirë se dikush tjetër para meje se kushtet kanë qenë të tjera. Megjithatë ajo që mund t’ju premtoj dashamirësve të Gjirokastrës se ne si staf do bëjmë maksimumin ta ringrejmë skuadrën dhe ta nisim kampionatin me entuziazëm me dëshirën dhe sigurisht objektivi jonë është qëndrimi në superiore”, tha Dalipi.

Kjo nuk do të jetë e lehtë për t’u arritur me gjendjen e skuadrës.

“Gjendja e lojtarëve aktualë më jep një dëshirë për t’i pasur në skuadër, por kjo ngelet për t’i parë pasi duhet parë stërvitshmëria e tyre, por sigurisht e gjithë baza apo boshti i skuadrës nuk është më”, tha Dalipi.

Luftëtari ka qenë një nga skuadrat më të mira të Superligës dy sezonet e fundit, por do ta ketë të vështirë me mbështetje më të paktë financiare./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!