Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka shprehur shqetësimin për situatën në Gaza. Përmes një deklarate zyrtare, përfaqësuesit e pesë komuniteteve fetare në vend, iu bashkohen thirrjeve ndërkombëtare, për përfundimin e menjëhershëm të luftës dhe lirimin e pengjeve. Këshilli Ndërfetar dënon përpjekjet për të shpërngulur palestinezët nga Rripi i Gazës, duke e cilësuar si shkelje të rëndë të dinjitetit njerëzor.
“Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë kërkon ndalimin e dhunës dhe garantimin e mbrojtjes së jetës së civilëve të pafajshëm, veçanërisht grave dhe fëmijëve, të cilët janë viktimat më të mëdha të këtij konflikti. Shpërngulja e detyruar e popullsisë, pengimi i ndihmës humanitare dhe shkatërrimi i infrastrukturës bazë nuk mund të justifikohen në asnjë mënyrë dhe përbëjnë një shkelje të rëndë të dinjitetit njerëzor.”
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë thekson se paqja e qëndrueshme mund të ndërtohet vetëm mbi drejtësi, mëshirë dhe respekt të ndërsjellë.
“Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve botërorë, institucioneve ndërkombëtare dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë të shtojnë përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit, për të siguruar menjëherë ndihmën e nevojshme humanitare dhe për të hapur rrugën drejt një paqeje të drejtë e të qëndrueshme në Tokën e Shenjtë dhe përreth saj.”
Më 7 tetor të vitit 2023, militantë të Hamasit, organizatë që kontrollon Rripin e Gazës, të shpallur nga perëndimi si terroristë u futën brenda territorit izraelit duke vrarë mbi 1000 persona dhe morën peng 251 persona. Pas sulmit të Hamasit, Izraeli nisi një operacion të gjerë ushtarak në Gaza./abcnews.al

