Angli-Itali do të rikthejë emocionet e finales së EURO 2020, por këtë herë, të dyja skuadrat do të vendosen përballë njëra tjetrës për llogari të kualifikueseve të EURO 2024.
Në prag të kësaj sfide ka folur edhe trajneri i kombëtares italiane, Luciano Spalletti, i cili është shprehur optimist dhe gjithashtu është i lumtur që do të luajë në mitikun “Wembley”.
Fillimisht jam shumë i lumtur sepse do të luaj në një stadium si “Wembley”, aty ku kanë nisur ëndrrat e mia. Ne do të luajmë për maksimumin, ndërsa e dimë shumë mirë se çfarë do të thotë kjo përballje për ne, pra të gjithë jemi të vetëdijshëm që këtu luajmë edhe kualifikimin. Nuk duhet të mendojmë për diferencat midis dy skuadrave, ne jemi këtu për të treguar cilësitë tona dhe duhet të tregojmë personalitetin tonë.” – tha fillimisht trajneri Spalletti.
Më pas, ishi i Napolit foli edhe për pritshmëritë kundrejt lojtarëve të tij.
“Unë flas me lojtarët, duke u shpjeguar detajet dhe duke u përpjekur t’i bëj ata të kuptojnë se çfarë mund të bëjnë apo përmirësojnë. Kemi pasur edhe lojtarë të rinj si Udogie që është vërtet shumë i fortë dhe në ndeshje delikate ai e ka potencialin për të bërë diferencën. Pikërisht, lojtarët e rinj duhet ta kuptojnë se Kombëtarja nuk është luks, por një vend ku duhet të punojnë shumë dhe të dhurojnë gjithçka.”- u shpreh ai.
Në “Wembley”, Italia ka kujtime shumë të bukura dhe i pyetur mbi këto emocione, Spalletti tregoi se skuadra sapo ka zbritur në Angli ka nisur të kujtojë gjithçka nga finalja e EURO2020.
“Të gjithë pa përjashtim e kujtojnë atë ndeshje, atë sukses shumë të rëndësishëm. Natyrisht që ato emocione të rrëmbejnë dhe unë dua t’i përsërisim në fund, si përqafimi i Mancini-t me Vialli-n” – përfundoi Spalletti./ h.ll/abcnews.al