5 vëllezër shqiptarë janë protagonistë të një videoje që është bërë virale në rrjete sociale pas një surprize që bënë për babain e tyre. Ai festonte 60-vjetorin e lindjes dhe djemtë Kullafi, të cilët janë të gjithë emigrantë në Itali, kishin vite që nuk i takonin prindërit e tyre.
Ata vendosën t’i surprizojnë në mënyrën më të bukur. Në festën që organizuan për të festuar përvjetorin e lindjes, Refiku mori një mesazh nga djemtë por nuk ia kishte idenë se çfarë e priste më pas. Ai u emocionua shumë kur takoi dhe Mariglenin, djalin që kishte shumë vite që nuk e kishte përqafuar.
Refiku ishte i ftuar në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku tregoi se ky moment ka qenë mjaft emocionues. “Ishte një kënaqësi e madhe. Kisha më shumë se 6 vjet pa i parë. Mariglenin kisha kohë pa e parë. 60 vjetori do të jetë i paharruar jo vetëm për mua por dhe për familjen.”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Marigleni tha se kjo surprizë në fakt është “një mesazh për të gjithë kurbetqarët që kanë një mall të madh”.
/abcnews.al