Kishin mbetur të dy nën rrënoja, momenti kur babai takohet me djalin

schedule12:38 - 10 Shkurt, 2023

schedule 12:38 - 10 Shkurt, 2023

Një baba sirian është ritakuar me të birin e tij disa ditë pas tërmetit shkatërrimtar që goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën.

Burri i dëshpëruar, pasi kishte humbur për shkak të shembjes së shtëpisë gruan dhe vajzën, u njoftua se një person kishte gjetur djalin e tij të vogël, të quajtur Ibrahim, i cili kishte shpëtuar mrekullisht.

Momenti kur Jomaa Biazid përlotet teksa sheh dhe puth djalin e tij u kap në kamera. “Faleminderit o Zot i madh” dëgjohet të thotë Biazid, ndërsa vogëlushi i thotë vetëm “babi”.

“E gjetëm djalin në spitalin e Afrin”, tregon Atef Nahnouh, personi që u kujdes për vogëlushin.

“I dhamë një banane, të cilën e hëngri aq shpejt, sa nuk mund ta imagjinoni. Duhet të kishte qenë shumë i uritur dhe i etur. E publikuam videot në rrjetet sociale dhe pyetëm nëse ndokush e njihte”.

Biazid tregoi për Reuters atë që kishte ndodhur të hënën. “Ishim duke fjetur si të gjithë. Ndjemë lëkundjet e para rreth orës 4:00 apo 4:30. Gruaja, u prehtë në paqe, më tha që t’i nxirrnim fëmijët jashtë. Por teksa po fliste na goditi tërmeti i dytë dhe ramë. E gjeta vetën poshtë gërmadhave”.

Biazid tregon si arriti të mbijetonte nën rrënoja. “Falënderoj Zotin e madh që më la një kanal për të marrë frymë. Djali po qante pranë meje. E dëgjoja, por nuk e arrija dot. Djali tjetër, Mustafa, ishte gjithashtu pranë meje kur më shpëtuan, por tani ka humbur. Ata më shpëtuan, por nuk më thanë gjë për djalin, prandaj u habita kur mësova se ishte gjallë”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!