Pesë persona janë arrestuar nga policia në Spanjë pasi u zbuluan në një plantacion për prodhimin e marijaunës, e cila ishte përshtatur në një magazinë industriale me sipërfaqe 5000 metra katrorë.
Gjatë këtij operacioni u kapën më shumë se 84 kg marijuanë që përllogaritet se kap shifrën e 480 mijë euro. Dyshohet se në skemën për kultivimin e saj, trafikantët i kishin kushtuar shtetit spanjoll një dëm prej 70 mijë euro-sh për shkak se kishin kryer vjedhje të energjisë elektrike.
Mes të arrestuarve ka shqiptarë dhe spanjollë. Hetimi kishte nisur kur agjentët mësuan ekzistencën e plantacionit në një rrugë në Mas del Cisa. Pas disa muajsh hetime, policia spanjolle vuri nën vëzhgim një furgon që do të përdorej për trafikimin e lëndës narkotike. Në automjet ishin fshehur 28 pako të mbyllura hermetikisht me marijuanë.
Policia arrestoi dy personat që ndodheshin një furgon, njëri prej të cilëve me origjinë shqiptare. Ndërkohë gjatë kontrollit në magazinë policia vuri në pranga edhe dy shqiptarë të tjerë të cilët ishin caktuar për ta ruajtur atë. Në total, policia arrestoi 5 persona, mes të cilëve edhe krerët e bandës, të akuzuar për trafik droge, pastrim parash, vjedhje të energjisë elektrike. m.v/Abcnews.al