Kirurgjia e Përgjithshme e Spitalit Amerikan, mjeku: Operacionet kryhen me teknologjinë e fundit

schedule09:47 - 13 Tetor, 2021

schedule 09:47 - 13 Tetor, 2021

Kirurgu i përgjithshëm në Spitalin Amerikan 3, Bledar Kola ishte i ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” ku shpjegoi rëndësinë e teknologjisë në trajtimin e sëmundjeve të ndryshme. Dr. Bledari tha se Spitali Amerikan ofron metodat me teknologjinë më të fundit për diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive.

“Aplikojmë metodat e kirurgjisë mini invazive. Ne pretendojmë t’i afrohemi sa më shumë vendeve të përparuara. Në Shqipëri ende nuk bëhet kirurgjia robotike për shkak të kostove por bëhet kirurgjia laparoskopike, e cila konsiston në atë që ne nuk bëjmë më plagë të mëdha për t’u futur në organe. Kryhen brenda trupit të njëjtin operacion por jo përmes një plage të madhe, por përmes vrimave ku futet një kamerë dhe vegla të vogla me të cilat punojmë.“, tha mjeku.

Më tej, ai tha se pandemia u bë shkak që njerëzit të shmangnin kontrollet mjekësore dhe si rrjedhojë pati një rritje të diagnostikimit të sëmundjeve në stade të avancuara. “Në fazën e parë të pandemisë, kur ishte mbyllja totale për shkak të frikës së madhe, ne pamë këtë trend. Njerëzit e dinin që ishin të sëmurë por nuk vinin nga frika e virusit.

Ishin një pjesë që nuk kishin shkuar te mjeku dhe vinin në fazat e avancuara të sëmundjes. Tani kur lëvizja është më e thjeshtë dhe nuk janë më këto kufizime nuk vihet re më kjo pasojë e pandemisë. Pamë njerëz me kancer që vinin në faza të avancuara.“, theksoi mjeku. /abcnews.al