Obeziteti konsiderohet si sëmundje e kohëve moderne. Prek miliona individë në botë dhe shkakton një sërë problemesh shëndetësore. Shefi i Departamentit të Kirurgjisë së Përgjithshme në Spitalin Hygeia në Tiranë, Celep Bahadir tregon disa prej tyre.
“Obeziteti është një problem mjekësor që rrit rrezikun për sëmundje dhe probleme të tjera shëndetësore, të tilla si sëmundjet e zemrës, diabetin, tensionin e lartë të gjakut dhe disa lloje kanceri. Vlerësohet që obeziteti ndikon në 30% të rasteve të diagnostikuar me kancer të zorrës së trashë, gjirit, endometrit, veshkës dhe ezofagut. Është pikërisht prania e këtyre pasojave të shkaktuara nga obeziteti që na bën t’i kushtojmë rëndësi & vëmendjen e duhur parandalimit të këtij të fundit.”
Në rastet kur pacientët nuk arrijnë rezultate të kënaqshme përmes stilit të jetesës shefi i Departamentit të Kirurgjisë së Përgjithshme në Spitalin Hygeia në Tiranë Celep Bahadir thotë se obeziteti mund të trajtohet gjithashtu përmes ilaçeve, endoskopisë dhe kirurgjisë.
Në spitalin Hygeia ofrohen të gjitha metodat kirurgjikale për trajtimin e obezitetit sigurisht duke ndjekur në mënyrë rigoroze çdo hap përgatitor të pacientëve para kirurgjisë.
“Vlen të theksohet që së fundmi, në strukturat spitalore moderne siç është edhe spitali Hygeia aplikohet Kirurgjia bariatrike e cila realizohet me teknikën kirurgjikale laparoskopike (të mbyllur), teknikë kjo që ofron edhe një sërë avantazhesh për pacientin për faktin që realizohet me prerje shumë të vogla dhe koha e qëndrimit në spital dhe rekuperimit post kirurgjisë është më e shpejtë krahasuar me teknikat kirurgjikale konvencionale. 80% e pacientëve të cilët i janë nënshtruar kirurgjisë bariatrike, arrijnë rezultate të kënaqshme brenda intervalit kohor 1 vjeçar pas kirurgjisë.”
Kjo normë suksesi reduktohet në 70% në një interval kohor 5 vjeçar. Çelësi i suksesit është stili i jetesës së mëvonshëm të pacientit, monitorimi i mëtejshem i tij si dhe lloji i kirurgjisë së aplikuar.“ Obeziteti sipas Organizatës Botërore te Shëndetësisë është kthyer në problem shëndetësor global kronik tek të rriturit. /abcnews.al/