Disa kohë pasi presidenti kinez Xi Jiping i shpalli luftë korrupsionit në radhët e ushtrisë, vijnë dhe rezultatet e para.
Partia Komuniste e Kinës ka përjashtuar nga radhët e saj dy ish-ministrat e mbrojtjes, Li Shangfun dhe paraardhësin e tij, Wei Fenghen nën akuzën e “shkeljeve serioze të disiplinës”, terminologji kjo që përdoret nga zyrtarët kinez kur flitet për korrupsionin.
“Si një anëtar i rëndësishëm i udhëheqjes së partisë dhe ushtrisë, Li Shangfu tradhtoi misionin e tij, tradhtoi besimin e Komitetit Qendror të Partisë dhe Komisionit Qendror Ushtarak dhe shkaktoi dëme të mëdha në kauzën e partisë dhe mbrojtjen kombëtare”, shkruhet në agjencinë e lajmeve Xinhua.
Artikulli thotë gjithashtu se një hetim i drejtuar nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste zbuloi se Li kishte kërkuar përfitime për veten dhe të tjerët dhe se nuk kishte përmbushur detyrat e tij politike.
Në muajin tetor të vitit të kaluar, Li u hoq nga detyra pasi nuk u pa në aktivitete publike për gati dy muaj. Ai u zëvendësua në muajin dhjetor nga admirali Dong Jun.
Paraardhësi i zotit Li, Wei Fenghe, gjithashtu nuk u pa në aktivitete publike për një periudhë të gjatë pasi u zëvendësua gjatë një riorganizimi të kabinetit qeveritar në muajin mars.
Reagimet ndaj përpjekjeve të Presidentit Xi kundër korrupsionit kanë qenë të ndryshme. Mbështetësit thonë se përpjekjet kanë të bëjnë me qeverisjen e pastër, ndërsa kritikët thonë se ato mund të shërbejnë si mjet për të eliminuar rivalët politikë./abcnews.al