Rrjeti i qendrave të paraburgimit në rajonin Xinjiang të Kinës është shumë më i gjerë sesa mendohej, sipas një hulumtimi të bërë nga një institut australian.
Numri i objekteve ku Kina besohet se ka ndaluar më shumë se 1 milion ujgurë dhe pakica të tjera kryesisht muslimane, është rreth 40 për qind më i madh se sa është menduar, thuhet në raportin e Institutit të Politikave Strategjike në Australi.
Sipas raportit, rrjeti i këtyre objekteve është në rritje, pavarësisht pretendimeve të Kinës se shumë ujgurë janë liruar. Ujgurët janë bashkësia më e madhe indigjene që flasin turqisht në Xinjiang, e pasuar nga kazakët. Shumë prej tyre janë vendosur në kampe nga regjimi kinez që në vitin 2017. Ka dëshmi se në kampe ushtrohet torturë, përdhunime dhe abuzime të tjera.
Kina nga ana tjetër ka deklaruar se atje ka programe trajnimi dhe arsimimi. Instituti i Politikave Strategjike në Australi tha se, duke përdorur imazhet satelitore, dëshmitë e dëshmitarëve okularë, raportet e mediave dhe dokumentet e ofruara zyrtare, ka identifikuar më shumë se 380 “ambiente të dyshuara paraburgimi” në Xinjiang./abcnews.al