Sondazh

Rama dhe Berisha në daljet vjetore, cili ju bindi më shumë:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kina i shpall luftë lindshmërisë së ulët/ Çerdhe më të lira dhe taksë për prezervativë, plan i ri…

schedule17:47 - 1 Janar, 2026

schedule 17:47 - 1 Janar, 2026

Nga 1 janari, qytetarët në Kinë do të paguajnë një taksë shitjeje prej 13% për mjetet kontraceptive, ndërsa shërbimet e kujdesit për fëmijët do të përjashtohen nga taksa, si pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të rritur normat e lindshmërisë në ekonominë e dytë më të madhe në botë.

Reforma e sistemit tatimor, e shpallur në fund të vitit të kaluar, heq shumë përjashtime që ishin në fuqi që nga viti 1994, kur Kina zbatonte ende rregullin e rreptë të një fëmije. Gjithashtu, nga TVSH-ja përjashtohen shërbimet që lidhen me martesën dhe kujdesin për të moshuarit, si pjesë e një pakete më të gjerë masash që përfshin zgjatjen e lejes prindërore dhe dhënien e ndihmave financiare.

Përpjekje për të rritur lindshmërinë dhe të rinjtë të martohen



Përballë plakjes së popullsisë dhe një ekonomie të ngadaltë, Pekini po përpiqet të inkurajojë të rinjtë të martohen dhe çiftet të kenë më shumë fëmijë. Sipas të dhënave zyrtare, popullsia e Kinës është tkurrur për të tretin vit radhazi, me vetëm 9.54 milionë foshnja të lindura në vitin 2024, rreth gjysma e lindjeve të regjistruara një dekadë më parë, kur Kina nisi të lehtësonte kufizimet për numrin e fëmijëve.

Kritika për taksën mbi kontraceptivët

Megjithatë, vendosja e taksës mbi kontraceptivët, përfshirë prezervativët, pilulat dhe pajisjet e kontrollit të lindjeve, ka ngjallur shqetësime për shtatzëni të padëshiruara dhe rritje të rrezikut të HIV-it, si dhe ironi në rrjetet sociale. Disa theksojnë se rritja e çmimit të prezervativëve nuk mjafton për t’i bindur njerëzit të kenë fëmijë.

Një përdorues ironizoi: “Do blej prezervativë për gjithë jetën që tani”. Të tjerë theksuan se njerëzit e kuptojnë mirë dallimin mes çmimit të një prezervativi dhe kostos së rritjes së një fëmije.

Kina, një nga vendet më të shtrenjta për të rritur fëmijë

Sipas një raporti të vitit 2024 nga Instituti i Kërkimeve të Popullsisë YuUa në Pekin, Kina është një nga vendet më të shtrenjta për të rritur fëmijë, për shkak të kostove të arsimit në një mjedis shumë konkurrues dhe vështirësive që kanë gratë në balancimin e punës me prindërimin. Ngadalësimi ekonomik, i ndikuar edhe nga kriza e pronave që ka goditur kursimet, i ka bërë familjet, veçanërisht të rinjtë, më të pasigurt për të ardhmen.

“Kam një fëmijë dhe nuk dua më”, thotë Daniel Luo, 36 vjeç, nga provinca Henan. Ai shton se rritja e çmimit të prezervativëve nuk e shqetëson, pasi kostoja shtesë vjetore është e përballueshme. Por Rosy Zhao, një studente nga Xi’an, paralajmëron se për studentët dhe personat me vështirësi financiare, kjo mund t’i shtyjë të “marrin rrezik”, duke e quajtur këtë pasojën më të rrezikshme të politikës.

Opinione të ndryshme nga ekspertët

Ekspertët janë të ndarë në lidhje me ndikimin e taksës. Demografi Yi Fuxian nga Universiteti i Uisconsin-Madison thotë se ideja që taksa mbi prezervativët do të ndikojë ndjeshëm në lindshmëri është e ekzagjeruar dhe se qeveria po kërkon të mbledhë të ardhura shtesë përballë borxhit dhe krizës së tregut të banesave. Ndërkohë, analistja Henrietta Levin nga CSIS e sheh masën si simbolike dhe paralajmëron se politikat mund të dështojnë, nëse perceptohen si tepër ndërhyrëse në jetën personale.

Sfida globale për rritjen e lindshmërisë

Kina ka kaluar nga politika e një fëmije në politika nxitëse për lindshmëri, por përballet me sfida të thella sociale: kosto të larta jetese, presion të madh mbi gratë, rënie të martesave dhe ndryshime në mënyrën se si të rinjtë ndërveprojnë. Këto trende nuk janë unike për Kinën, por shihen edhe në vende si Japonia dhe Koreja e Jugut, duke e bërë rritjen e lindshmërisë një sfidë globale.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!