Tajvani ka vënë në gatishmëri avionët ushtarakë si shenjë paralajmërimi për 30 avionë që ka dërguar Kina në zonën ajrore të mbrojtjes së këtij vendi. Incidenti i së hënës shënoi inkursionin më të madh që nga janari, shkruan BBC.
Vendimi i Kinës erdhi disa ditë pasi Presidenti i SHBA-së Joe Biden paralajmëroi Kinën kundër pushtimit të Tajvanit dhe në të njëjtën ditë kur një zyrtar amerikan vizitoi ishullin për të diskutuar sigurinë me udhëheqësit.
Kina ka rritur frekuencën e misioneve të saj ajrore gjatë muajve të fundit duke pretenduar se ato janë ushtrime stërvitore. Lëvizje të tilla kanë zemëruar Tajvanin dhe kanë rritur tensionet në rajon.
Kina e sheh Tajvanin si një provincë të shkëputur, të cilën mund ta marrë me forcë nëse do të jetë e nevojshme. Incidenti i fundit përfshinte 22 avionë luftarakë të cilët fluturuan në një zonë në verilindje të ishujve Pratas, që është pjesë e zonës së identifikimit të mbrojtjes ajrore të Tajvanit, e emërtuar edhe si ADIZ.
Por avionët nuk kaluan në hapësirën ajrore të Tajvanit, gjë që do të ishte konsideruar si një akt armiqësor. ADIZ është një zonë jashtë hapësirës ajrore kombëtare, në të cilën avionët e huaj ende identifikohen, monitorohen dhe kontrollohen në interes të sigurisë kombëtare.
Teknikisht mbetet hapësirë ajrore ndërkombëtare. Tajvani ka raportuar për më shumë se një vit se avionët kinezë kanë fluturuar në ADIZ-in e tij, duke e quajtur atë luftë të “zonës gri” që synon të testojë reagimin e tyre ushtarak.
Analistët kanë thënë më parë se inkursionet janë paralajmërim kundër qeverisë së Tajvanit. Ndërkohë Pekini ka thënë në të kaluarën se stërvitjet kishin për qëllim mbrojtjen e sovranitetit të tij.
/abcnews.al