Nga Joschka fischer, Project Syndicate
Në librat e ardhshëm të historisë, vitit 2020 do të mbahet mend me të drejtë si viti i pandemisë së madhe të Covid-19. Por gjithashtu ai do të mbahet mend edhe nga mënyra si mori fund mandati i neveritshëm presidencial i Donald Trumpit.
Që të dyja episodet janë të lidhura ngushtë më njëra-tjetrën, dhe do të lënë pas një trashëgimi të qëndrueshme, pjesërisht pasi u shpalosën gjatë një tranzicioni më të gjerë global nga shekulli XX i dominuar nga SHBA-ja. Përkundër këtij sfondi, 2020-a dëshmoi të ishte një vit shumë i suksesshëm për Kinën.
Sigurisht, gjërat nuk u dukën kështu në fillim, kur koronavirusi i ri i SARS-CoV-2, po bënte kërdinë në Vuhan. Dështimet serioze nga ana e autoriteteve kineze, e lejuan atë shpërthim epidemik të shndërrohej në një pandemi, që deri tani ka vrarë gati 1.5 milion njerëz, dhe e ka futur në krizë ekonominë globale.
Në fillim të këtij viti, u duk sikur udhëheqja komuniste e Kinës, po përballej me një krizë të thellë besimi. I shfaqur pas një lufte të ashpër tregtare me Shtetet e Bashkuara, Covid-19 e gjunjëzoi menjëherë gjigantin aziatik. Dhe shtypja me forcë që presidenti kinez Xi Jinping i bëri lëvizjes demokratike në Hong Kong, e shtoi më tej mosbesimin e Perëndimit ndaj Kinës.
Përplasja mbi një ligj të ri drakonian mbi sigurinë kombëtare, i jep fund epokës së “një vend, dy sisteme”, dhe ngre pikëpyetje të mëdha për të ardhmen e Tajvanit.
Gjithsesi në çdo rast, pozita e Kinës duket shumë e përmirësuar tani në fund të vitit 2020. Dështimet e saj në fillim të pandemisë duket se kryesisht janë harruar, sidomos brenda Kinës.
Përmes masave radikale, shteti autoritar njëpartiak i Kinës, e vuri shpejt nën kontroll virusin, dhe e riktheu ekonominë në rrugën e duhur, duke mundësuar një kthim gati të plotë në jetën normale.
Në luftën tregtare me SHBA-në, Kina ka lëshuar pak terren (kryesisht vetëm një premtim për të blerë 200 miliardë dollarë mallra amerikane). Por masat e ashpra në Hong Kong, duket se po funksionojnë ashtu siç kishte shpresuar Xi. Dhe në nëntor, Kina kreu një lloj “grusht shteti gjeopolitik”, me nënshkrimin e Partneritetit Rajonal Ekonomik Gjithëpërfshirës (RCEP), një marrëveshje e re tregtare, që do ta vendosë atë në qendër të zonës më të madhe të tregtisë së lirë në botë.
RCEP do të lidhë tregun e madh të Kinës me atë të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore – nga Indonezia dhe Singapori, deri në Vietnam – dhe do të përfshijë edhe aleatë të rëndësishëm të SHBA-së si Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re. Për momentin, India nuk po merr pjesë, por mund t’i bashkohet më vonë.
I vetmi lojtar rajonal që mbetet jashtë RCEP është Amerika. Krijimi i një blloku të ri ekonomik, me në qendër Kinën, ilustron qartë ndryshimin midis realitetit faktit dhe realitetit të “reality show”.
Kur Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë në janarin e vitit 2017, një nga veprimet e tij të para zyrtare ishte tërheqja e SHBA-së nga Partneriteti Trans-Paqësor, një marrëveshje e negociuar nga presidenti Barack Obama që do të kishte krijuar diçka të ngjashme me RCEP, por në atë rast me Amerikën në qendër, dhe me Kinën që mbetej jashtë.
Duke e parë këtë akt vetë-dëmtues të SHBA-së, udhëheqësit kinezë me sa duket nuk mund t’i besonin dot syve për shansin që u krijua, dhe që nga ajo kohë qeveria e Xi ka punuar shumë për ta shfrytëzuar në maksimum dhuratën bujare të Trump. Këto përpjekje, po i japin tani frytet e tyre.
Me një zonë të re të tregtisë së lirë, do të krijohen realitete të reja gjeopolitike. Përreth Kinës do të krijohen një rrjet varësish, duke e forcuar pozicionin e Pekinit në të gjithë rajonin e Indo-Paqësorit. Ndërsa Kina del më e fortë nga ky vit krize, Amerika ka dalë më e dobët.
Për shkak të Trumpit, Covid-19 po shkakton trazira në SHBA, dhe vendi mbetet i mbyllur në vetvete, dhe u duket të tjerëve se po zhytet në përçarje, kaos dhe dobësi.
Dhe ky perceptim ka pasoja gjeografike serioze. Pas një procesi zgjedhor, të cilin Trump është përpjekur të diskreditojë, shumë analistë në të gjithë botën po pyesin nëse administrata e ardhshme e presidentit të zgjedhur Joe Biden, do të jetë në gjendje ta largojë SHBA-në nga spiralja e saj në rënie.
Faza e tanishme post-zgjedhore, nuk frymëzon ndonjë besim se të dyja kampet politike ndërluftuese, do ta gjejnë gjuhën e përbashkët. Në këto kohëra të trazuara të pandemisë dhe rivalizimeve të përshkallëzuara ekonomike dhe gjeopolitike, Amerika ka nevojë më shumë se kurrë për miqtë e saj, dhe miqtë e Amerikës kanë nevojë për të.
Pa një rivendosje të udhëheqjes globale të SHBA-së nën presidentin Biden, Kina do të jetë në rrugën e duhur për t’u bërë forca dominuese në botë, dhe kjo nuk është një perspektivë ngushëlluese për partnerët dhe aleatët e SHBA-së në Evropë, Indo-Paqësor dhe gjetkë.
Bota pa këtë muaj një shembull të vogël, se si mund të jetë hegjemonia kineze, kur regjimi i Xi i paraqiti Australisë një diktat me 14 pika, duke i kërkuar kësaj të fundit që ajo të “korrigjojë gabimet” që ka bërë në marrëdhëniet dypalëshe.
Pas apelit të Australisë për një hetim ndërkombëtar të origjinës së SARS-CoV-2, përjashtimit të 2 kompanive kineze (ZTE dhe Huaëei) nga rrjeti i saj 5G, dhe raportimit negativ të Kinës në mediat australiane, Kina ka vendosur ndaj Australisë barriera të reja tregtare.
Në veçanti evropianët, duhet ta kenë mirë parasysh këtë sjellje.
Aleatët e Amerikës, do të shpëtojnë se shpejti nga Trump dhe politika e tij e jashtme nacionaliste. Por nëse “Amerika e Para” zëvendësohet me “Kina e Para”, do të ketë pak për të fituar. Evropianët duhet të zgjohen. Ky është shansi i fundit për të mbështetur hegjemonin “dashamirës” dhe premtimin për të pasur liri në shekullin XXI. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
*Joschka Fischer, Ministër i Jashtëm dhe zëvendës/kancelar i Gjermanisë në vitet 1998-2005. Ka udhëhequr për gati 20 vjet Partinë e Gjelbër gjermane.