Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kina dhe Rusia po përfitojnë nga diplomacia e vaksinave, por jo për shumë kohë

schedule16:26 - 10 Mars, 2021

schedule 16:26 - 10 Mars, 2021

Nga Edward Lucas, Center for European Policy Analysis

Perëndimi e ka djallosur me reagimin e tij ndaj pandemisë globale së Covid-19. Vendet e pasura kanë blerë 5.4 nga 7.8 miliardë dozat e vaksinave të koronavirusit që janë prodhuar deri më tani.

Në shumë raste, ato po dështojnë që ta shpërndajnë me efikasitet këtë sasi tek qytetarët e tyre, dhe lëre më të kujdesen për të plotësuar nevojat shumë më të mëdha për vaksina diku tjetër. Kjo duket (dhe është) një sjellje lakmitare dhe një tregues i paaftësisë.

Kina (dhe në një masë më të vogël Rusia) po përfitojnë nga kjo situatë. Deri tani Kina ka zhvilluar 4 vaksina anti-Covid. Nga pikëpamja shkencore ato nuk janë jashtëzakonisht inovative. Në fakt, mungesa e të dhënave mbi to është alarmante.

Askush përtej zyrtarëve kinezë nuk ka parë testet klinike në lidhje me efikasitetin dhe sigurinë e tyre. Disa pikëpyetje ka edhe mbi vaksinën ruse Sputnik V. Por tani për tani, nevoja e dëshpëruar për vaksina i ka lënë dyshimet në plan të dytë.

Këto vaksina nuk kanë nevojë për frigoriferë ultra të ftohtë. Një vaksinë kineze i dhuron njeriut imunitet edhe me një dozë të vetme. Rezultati është diplomacia e vaksinave. Javën e shkuar agjencia “Associated Press” numëroi 25 vende që kanë filluar përdorimin e vaksinave kineze, dhe për 11 të tjera që presin të marrin dërgesat (Kina pretendon për një numër më të lartë vendesh, por nuk ka bërë publike detajet).

Rusia ka firmosur me 45 vende për shitjen e vaksinës së saj Sputnik V. Në Evropë, Hungaria dhe Serbia ishin të parët që kërkuan dhe blenë këtë vaksinë. Shembullin e tyre e ndoqën madje edhe aleatë të fortë të Atlantizmit si Polonia, Republika Çeke dhe Sllovakia.

Vendimmarrësit perëndimorë duhet të reflektojnë shumë mbi këtë situatë. Për shkak të gabimeve të tyre, Kina dhe Rusia kanë fituar një prestigj global dhe ndikim shkencor. Pandemia u ka dhënë atyre një shans dhe ato e kanë shfrytëzuar këtë.

Ne nuk duhet që të habitemi pse kujdesi shëndetësor, është tani pjesë e arsenalit të tyre të luftës politike. Të metat dhe dështimet në shërbimet tona publike, nuk janë thjesht të turpshme dhe për të ardhur keq. Ato janë kërcënime të vetë-shkaktuara të sigurisë kombëtare.

Por në fakt, avantazhi kinez dhe ai rus në garën e vaksinave,ka të ngjarë që të jetë i përkohshëm. India është një fuqi e madhe në botën e vaksinave. Izraeli po luan një rol në rritje. Aleanca globale Covax po rritet edhe pse me vonesë.

Në fund,shumica e njerëzve do të mbajnë mend vaksinat që morën, dhe jo ato që u munguan në një moment. Edhe më inkurajues është faktikë kundërshtarët tanë, nuk po arrijnë ende të konsolidojnë përshtypjen e mirë që kanë krijuar.

Rusia po e vazhdon luftën e saj në Ukrainë, dhe po ndërmerr sulme absurde ndaj historisë dhe kulturës së vendeve të tjera (së fundmi, duke pretenduar se heroi kombëtar letrar i Estonisë, Anton Tammsaare, ishte një “shkrimtar rus”).

Këto sjellje mund të priten mirë në Rusi, por sigurisht që nuk do të fitojnë zemrat dhe mendjet jashtë vendit. Ndërkohë diplomatët kinezë vazhdojnë të praktikojnë “diplomacinë e luftëtarëve-ujqër”. Pra ata ngacmojnë kritikët në heshtje.

Për shembull, në Kopenhagen të Danimarkës, ambasada u është ankuar autoriteteve të qytetit për një skulpturë që përshëndet lëvizjen pro-demokratike në Hong Kong, e cila është ngritur në një vend të përkohshëm jashtë ndërtesës së parlamentit.

Një këshilltar politik i ambasadës i quajtur Zhang Su, tha se skulptura ishte “e papranueshme” për popullin kinez; se ajo ishte një ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës; dhe se do të ishte “ofenduese” për shumë turistë kinezë në zonë; ajo mund të përbënte një rrezik sigurie për shkak të “konfliktit/konfrontimit”, dhe së fundmi do të dëmtonte marrëdhëniet danezo-kineze.

Unë duhet t’i dërgoj atij lule dhe çokollata. Zgjimi i Danimarkës nga gjendja letargjike e sigurisë së pas Luftës së Ftohtë ka qenë një punë e vështirë. Dhe përpjekjet e këtij diplomati janë shumë më efektive se të miat.

Prova se jeton ende në një vend të lirë, është se jeni të lirë të thoni dhe të bëni gjëra që Partia Komuniste Kineze nuk i pëlqen. Për këtë ia vlen që të luftosh. Su e ka ilustruar më së miri këtë shembull. Kina dhe Rusia po tregojnë pak shenja të një qasjeje të koordinuar.

Madje ato konkurrojnë njëra-tjetrën(jo më pak kur bëhet fjalë për shitjen e vaksinave).

Por përpjekjet e tyre mbivendosen në një mënyrë domethënëse.

Vendet evropiane të tronditura nga sjellja agresive e Kinës, do të jenë gjithashtu më të ndjeshme ndaj paralajmërimeve mbi Rusinë. Madje dikush mund ta quajë këtë një përgjigje imunologjike. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!