Kina dhe Koreja e Veriut zotohen për thellimin e bashkëpunimit

schedule14:52 - 6 Tetor, 2024

schedule 14:52 - 6 Tetor, 2024

Udhëheqësit e Kinës dhe Koresë së Veriut janë zotuar që të thellojnë bashkëpunimin dypalësh, teksa më 6 tetor këto dy shtete kanë shënuar 75-vjetorin e vendosjes së raporteve diplomatike, raportoi media shtetërore e lajmeve verikoreane, KCNA.

“Unë i kushtoj rëndësi të madhe zhvillimit të raporteve mes Kinës dhe Koresë së Veriut”, tha presidenti kinez, Xi Jinping, në mesazhin dërguar liderit verikorean, Kim Jong Un.

Xi tha se Kina është e gatshme “të shkruajë një kapitull të ri” në raportet mes dy vendeve, duke forcuar komunikimin dhe bashkëpunimin.

Kina është partnerja më e madhe tregtare e Koresë së Veriut. Të dyja shtetet kanë një histori të bashkëpunimit që daton nga mbështetja që Pekini i kishte dhënë Phenianit gjatë Luftës Koreane të viteve 1950-1953, që rezultoi me krijimin e Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut.

Por, Kina reagoi me kujdes në qershor, kur Kim thelloi raportet me presidentin rus, Vladimir Putin. Gjatë këtij viti, Koreja e Veriut dhe Rusia kanë nënshkruar një traktat strategjik, që përfshin edhe elemente të mbrojtjes së përbashkët.