Kina aprovon prodhimin e vaksinës së parë kundër Covid-19

schedule15:00 - 17 Gusht, 2020

schedule 15:00 - 17 Gusht, 2020

Kina ka dhënë aprovimin për prodhimin e vaksinës së parë anti-Covid. Vaksina e quajtur Ad5-nCoV është një bashkëpunim i firmës farmaceutike CanSino me Institutin Bioteknologjik të Akademisë së Shkencave Mjekësore Ushtarake. Vaksina deri më tani ka kaluar dy fazat e para të testimit dhe pritet të nisë edhe fazën e tretë që është vendimtare.

Sipas raporteve të fundit, autoritetet kineze e dhanë patentën pasi studimet vërtetuan se prototipi i vaksinës u pajtua me bazat e pronësisë krijuese dhe intelektuale të përcaktuara nga zyrtarët e Pekinit.

Miratimi për prodhimin e kësaj vaksine është marrë që me 11 gusht por tani u bë publike. Studiuesit janë shprehur se vaksina eksperimentale, e cila është në mesin e 5 vaksinave që bëhen dhe zhvillohen në Kinë është një nga vaksinat më të sigurta deri tani.

Të pesë llojet e vaksinave COVID-19 në Kinë janë duke u zhvilluar nën bashkëpunimin ndërkombëtar me një listë të vendeve përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Brazili, Mbretëria e Bashkuar, SHBA dhe Gjermania.

Vaksina i ka përfunduar dy fazat e para të testimit, ndërsa faza e tretë sipas ekspertëve është thelbësore pasi pas kësaj faze miratohet edhe përdorimi në publik.

Pandemia e koronavirusit ka marrë më shumë se 772,000 jetë në 188 vende dhe rajone që nga shfaqja për herë të parë në dhjetor të këtij viti në Wuhan, Kinë. SHBA, Brazili, India dhe Rusia aktualisht janë vendet më të goditura.

Më shumë se 21.5 milion raste COVID-19 janë raportuar në të gjithë botën, me rikuperime që tejkalojnë 13.5 milion, sipas shifrave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins me qendër në SHBA. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!