Kina akuzon Uashingtonin se dëshiron të krijojë një ‘NATO’ të re në Azi

schedule16:03 - 2 Qershor, 2024

schedule 16:03 - 2 Qershor, 2024

Kina do të ndërmarrë veprime për të frenuar pavarësinë e Tajvanit, tha të dielën Ministri i Mbrojtjes i Kinës, Dong Jun, gjatë një takimi në Singapor për sigurinë në rajonin e Azi-Paqësorit.

Ministri Dong pranoi rëndësinë e rinovimit të komunikimeve të reja ushtarake me Shtetet e Bashkuara ndërsa tensionet përshkallëzohen në Azi-Paqësor. Megjithatë, ai akuzoi Uashingtonin se ka shkaktuar fërkime duke i ofruar mbështetje Tajvanit dhe Filipineve.

“Për shkak se ushtria kineze dhe ajo amerikane kanë dallime, ka një nevojë më të madhe për komunikim. Edhe pse kemi rrugë të ndryshme zhvillimi, nuk duhet të ndjekim konfrontimin me njëri-tjetrin”, tha ministri Dong.

Kina ka vepruar në mënyrë agresive, me pretendime territoriale mbi të gjithë Detin e Kinës Jugore, një rrugë kyçe globale detare, çka ka çuar në një numër në rritje të konflikteve, veçanërisht me Filipinet. Anijet kineze kanë përplasur anijet filipinase dhe i kanë goditur me topa uji.

Shefi i ushtrisë kineze këmbënguli se Pekini zbaton politika që nuk janë agresive, përpara se të kërcënonte Filipinet, vend i cili po orientohet gjithnjë e më shumë drejt Shteteve të Bashkuara që nga zgjedhja në postin e presidentit të Ferdinand Marcos Junior në vitin 2022.

Që kur armiqësitë territoriale me Kinën u rritën vitin e kaluar, administrata e udhëheqësit filipinas Marcos Jr. ka ndërmarrë hapa për të krijuar aleanca të reja sigurie me një numër vendesh aziatike dhe perëndimore. Ai gjithashtu ka lejuar një prani më të madhe ushtarake amerikane në vendin e tij sipas një pakti të vitit 2014 për mbrojtjen.

Ministri kinez akuzoi Filipinet për provokim të qëllimshëm të Kinës, “të inkurajuar nga fuqitë e jashtme”, duke përmendur vendosjen nga Shtetet e Bashkuara të sistemit të raketave me rreze të mesme veprimi në Filipine dhe mbështetjen afatgjatë për Manilës për një vendim arbitrazhi të vitit 2016 që mohon shumicën e pretendimeve të Pekinit në Detin e Kinës Jugore.

“E ashtuquajtura strategjia Indo-Paqësore e Shteteve të Bashkuara është plot retorikë. Nën flamurin e promovimit të bashkëpunimit rajonal, ajo në fakt mbështetet në mentalitetin e Luftës së Ftohtë. Qëllimi i vërtetë i kësaj të ashtuquajture strategjie është të integrojë qarqet e vogla në një rreth më të madh, një variant aziatik i NATO-s – duke ruajtur kështu hegjemoninë e SHBA-së”, tha Jing Jiangfeng, gjeneral i ushtrisë kineze.

Një tjetër çështje që ndikon tek marrëdhëniet e Perëndimit me Kinën është edhe agresioni rus në Ukrainë. Pekini thotë se mban qëndrim neutral ndaj këtij konflikti, por i ka mbështetur pretendimet e Moskës se Rusia e nisi sulmin ndaj Ukrainës pasi u provokua nga Perëndimi. Kina gjithashtu vazhdon të furnizojë industrinë ruse të prodhimit të armëve.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili po merr pjesë në takimin në Singapor tha se ishte “i zhgënjyer” që disa udhëheqës botërorë nuk e kishin konfirmuar ende pjesëmarrjen në konferencën për paqen në Ukrainë që do të mbahet në Zvicër pas pothuajse dy javësh.

Ai nuk specifikoi asnjë vend me emër, por pjesëmarrja e mundshme e Kinës, aleati më i rëndësishëm i Rusisë, shihet si një çështje kyçe.

“Po, jemi të zhgënjyer që disa udhëheqës botërorë nuk e kanë konfirmuar ende pjesëmarrjen në takimin e nivelit të lartë të paqes. Fatkeqësisht, ka edhe përpjekje për ta dëmtuar atë takim. Ne nuk duam të besojmë se kjo është një dëshirë monopoliste në botë për t’i mohuar komunitetit global mundësinë për të vendosur për luftën dhe paqen dhe për ta lënë këtë pushtet në duart e një ose dy vendeve”, tha Presidenti Zelenskyy.

Shefi i mbrojtjes kineze, Dong Jun, nuk dukej të ishte i pranishëm gjatë fjalimit të Presidentit Zelenskyy.

Ministri Dong nuk përmendi në mënyrë specifike gjatë fjalimit të tij takimin që parashihet të mbahet në Zvicër, por tha se “për krizën e Ukrainës, Kina i ka nxitur bisedimet e paqes duke mbajtur një qëndrim të përgjegjshëm”.

Ai shtoi se Kina nuk i kishte ofruar armë asnjërës palë në konflikt.

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin ishte i pranishëm gjatë fjalimit të udhëheqësit ukrainas.
/VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!