Lideri i Koresë së Veriut ka shprehur gatishmërinë dhe dëshirën për të vazhduar përpara me planet për takimin me Presidentin amerikan Donald Trump. Kreu i Shtëpisë së Bardhë nënvizoi për këtë çështje se gjërat po ecin në rrugën e duhur.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, shprehu “vullnetin e tij të fortë” për t’u takuar me Presidentin amerikan Donald Trump. Kjo është raportuar nga agjencia zyrtare e Koresë së Veriut KCNA, pas takimit të së shtunës mes Kim dhe Presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in. “Ne po ecim shumë mirë në bisedimet e samitit”, tha numri një i Shtëpisë së Bardhë. SHBA anuloi samitin e shumëpritur që do të mbahej me 12 Qershor në Singapor.
Regjimi i Phenianit gjithashtu riafirmoi qëllimin e tij për të lëvizur drejt denuklearizimit të gadishullit, tha Moon Jae-in duke folur për takimin me Kim në fshatin kufitar të Panmunjeom, ku u nënshkrua armëpushimi në 1953 që i dha fund Luftës së Koresë. Sipas presidentit të Koresë së Jugut, Pheniani mbetet akoma në dyshim për “premtimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë e garantuar” pas përfundimit të procesit kompleks të çarmatosjes bërthamore.
Ndërkohë, një samit tjetër midis udhëheqësve të dy Koreve duhet të mbahet më 1 Qershor. Takimi ballë për ballë midis Kim dhe Trump duhet të zhvillohej më 12 Qershor në Singapor. Nga ana amerikane, duket se ka një rritje të besimit, dhe tashmë shprehen se samiti mund të sjellë rezultate pozitive. Anulimi i takimi u ndërmor nga vetë Trump me arsyetimin se Koreja e Veriut ka shfaqur hapur armiqësinë e saj ndaj Shteteve të Bashkuara. Vendimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë lidhet me një ofendim që i është bërë nënpresidentit Mike Pence./abcnews.al

