Zëvendëskryeministrja ukrainase ka paralajmëruar qytetarët rusë që të mos birësojnë fëmijët e “rrëmbyer” nga Ukraina të deportuar në Rusi. Nëpërmjet një postimi në Telegram, Iryna Vereshchuk tha se ishte “veçanërisht e neveritshme” të mburresh publikisht për aktivitetin “ilegal”.
Më shumë se 16,000 raste të dëbimit të fëmijëve janë duke u hetuar nga prokurori i përgjithshëm i Ukrainës Andriy Kostin.
“Të marrësh fëmijët jetimë nga Ukraina dhe t’i dorëzosh për birësim shtetasve rusë është e paligjshme dhe e poshtër.
Është veçanërisht e neveritshme kur njerëzit madje mburren publikisht për faktin se ata adoptuan fëmijë që janë rrëmbyer në Ukrainë,” ka shkruar Vereshchuk.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër-arresti për Vladimir Putin në fillim të këtij muaji, duke akuzuar Rusinë për dëbim të fëmijëve.
Vereshchuk tha se “dhjetëra” rusë që kishin vendosur “të adoptonin jetimët e rrëmbyer nga Ukraina” herët a vonë “duhet të përgjigjen” për këtë.
/abcnews.al