Khamenei: Irani demonstroi fuqinë e tij kundër Izraelit

schedule16:17 - 21 Prill, 2024

schedule 16:17 - 21 Prill, 2024

Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka falënderuar forcat e armatosura të shtetit të tij për sulmin ndaj Izraelit, që Teherani kreu më herët gjatë këtij muaji, duke thënë se shteti demonstroi fuqinë e tij, pavarësisht se sa caqe u goditën.

Më 13 prill, Irani lëshoi drejt Izraelit mbi 300 raketa dhe dronë. Sulmi iranian, që u tha se u krye në shenjë hakmarrjeje ndaj një sulmi të dyshuar izraelit ndaj ndërtesës së Ambasadës së Iranit në Damask më 1 prill, ishte sulmi i parë direkt ndaj Izraelit.

Shumica e raketave dhe dronëve u rrëzuan nga Izraeli dhe aleatët e tij dhe sulmi shkaktoi dëme të vogla në Izrael.

“Pyetja më e rëndësishme nuk është se sa raketa u lëshuan dhe sa prej tyre goditën caqet. Ajo çfarë ka rëndësi është se Irani demonstroi fuqinë e tij gjatë këtij operacioni”, tha Khamenei më 21 prill.
Gjatë së premtes, në qytetin iranian Isfahan u raportuan shpërthime. Mediat amerikane, duke cituar burime brenda Qeverisë amerikane, thanë se pas sulmeve ajrore qëndronte Izraeli.

Izraeli nuk ka komentuar për raportimet.

Teherani minimizoi incidentin dhe tha se nuk ka në plan që të kundërpërgjigjet.

Mediat shtetërore iraniane cituan zyrtarët në Teheran të ketë thënë se shpërthimet u shkaktuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore, që rrëzuan tre dronë.

“Në operacionin e fundit, forcat e armatosura arritën të minimizonin kostot dhe të maksimizonin përfitimet”, tha Khamenei, duke u bërë thirrje ushtarakëve që të ndjekin “vazhdimisht inovacionet ushtarake dhe të mësoni për taktikat e armikut”.

Për dekada të tëra, Izraeli dhe Irani janë armiq të përbetuar. Por, sulmi i 13 prillit nga Irani dhe ai i 19 prillit që iu atribuua Izraelit, ishin sulmet e para ndaj tokës së njëri-tjetrit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!