PRISHTINË– KFOR është ende duke e analizuar kërkesën e Serbisë për dërgimin e 1000 trupave policore e ushtarake në veri të vendit. Kjo u bë e ditur vetë nga ky mision që tha se do të vazhdojnë të ofrojnë një mjedis të sigurtë duke inkurajuar dialog konstruktiv mes Kosovës dhe Serbisë për zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme.
“Aktualisht jemi duke analizuar kërkesën e fundit të Qeverisë së Serbisë. Ne do të vazhdojmë të ofrojmë një mjedis të sigurt dhe të ofrojmë lirinë e lëvizjes që inkurajon dialogun produktiv, duke u dhënë udhëheqësve aftësinë për të krijuar zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, thonë nga KFOR.
Duke folur për stërvitjen në Novosellë, KFOR thotë se e kanë të rëndësishme për t’u trajnuar dhe testuar aftësitë e njësive të saj për të garantuar lirinë e lëvizjes duke përdorur mjetet në dispozicion në rast se marrëveshjet politike nuk përmbushen dhe iu kërkohet ndërhyrja.
“Për shkak të kompleksitetit të mjedisit aktual operativ, është thelbësore që këto sisteme dhe aftësi të testohen pasi që ato zvogëlojnë rrezikun kolektiv nëse marrëveshjet e ardhshme politike nuk mund të përmbushen. Ka shumë akterë në terren të përkushtuar për të bërë përparim, por KFOR-i mbetet vigjilent dhe i gatshëm për të reaguar. Ne jemi të përgatitur të ndërhyjmë, nëse është e nevojshme ta parandalojmë përshkallëzimin, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, vijon KFOR.
“KFOR-i tregoi ekuilibër dhe vendosmëri gjatë gjithë ngjarjes. Nuk raportohet për të lënduar dhe tensionet janë ulur për shkak të koordinimit ndërmjet partive zyrtare dhe udhëheqjes së KFOR-it”, bëri të ditur ky mision.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuçia, deklaroi se KFOR-i ka aftësitë dhe mjetet e duhura për të penguar dhunën në rajon dhe për të siguruar kushte që inkurajojnë dialogun e mëtejshëm politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për të ecur përpara, nën lehtësimin e BE-së.
KFOR-i beson fuqishëm se përdorimi i dhunës dhe sjelljes agresive për të ndikuar në vendimet politike në Kosovë është i papranueshëm dhe perceptohet si provokim. Sipas KFOR, është përgjegjësi e të gjithëve për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë kolektive të rajonit.
Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO përbëhet nga më shumë se 3700 personel nga 27 vende – duke përfshirë aleatët e NATO-s dhe partnerët e angazhuar për të ofruar një mjedis të sigurt dhe për të ofruar lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.