KFOR-i mbështet trajnimin profesional për gratë viktima të dhunës

schedule15:42 - 7 Gusht, 2020

schedule 15:42 - 7 Gusht, 2020

KFOR-i për Organizatën Joqeveritare “Jeta” me qendër në Deçan ka dhuruar makineri profesionale të qepjes dhe mjete të tjera të rrobaqepësisë për të mundësuar kurse të trajnimit profesional në favor të grave viktima të dhunës me bazë gjinore ose në gjendje të dëshpëruar.

Projekti është financuar nga NATO dhe është implementuar nga ushtarët italianë të KFOR-it nga Komanda Rajonale Perëndim, në kuadër të ndihmës së ofruar në mënyrë të paanshme për të gjitha komunitetet e Kosovës.

“Gjatë viteve, shumë gra kanë përfituar nga aktivitetet e OJQ-ve, dhe ne jemi mirënjohëse për përkrahjen e KFOR-it”, tha drejtoresha e “Jeta-s”, Safete Gacaferi, e cila gjithashtu po avokon për promovimin e të drejtave dhe kushteve të grave në Kosovë.

“Operacioni i udhëhequr nga NATO është i përkushtuar për të ndihmuar ato institucione dhe organizata që mbrojnë gratë dhe të promovojnë rolin e tyre në Kosovë, në përputhje me frymën e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, deklaroi kolonel Gianluca Figus, Komandant i Njësisë shumëkombëshe të KFOR-it.

Në lidhje me këtë, javën e kaluar një Ekip i Ndërlidhjes dhe Monitorimit i Ushtrisë amerikane që i përkasin Komandës Rajonale të KFOR-it Lindje, i ofroi ndihmë strehës për gratë viktima të dhunës në familje “Shtëpia ime”, të vendosura në Ferizaj.