KFOR-i nis heqjen e telave me gjemba në Zveçan

schedule13:18 - 5 Qershor, 2023

schedule 13:18 - 5 Qershor, 2023

Telat me gjemba që kanë qëndruar për disa ditë rresht afër ndërtesës së Komunës së Zveçanit, janë hequr pak me parë nga ushtarët e KFOR-it.

Kjo dëshmon për situatën aktuale të qetë në ketë komunë, ndërsa protestuesit para pak çastesh shpalosën një pano me mbishkrimin “Zveçanit është i përhershëm”, në alfabetin cirilik.

Protestuesit të cilët janë në numër më të vogël se zakonisht, kryesisht femra, janë duke qëndruar nëpër tendat e improvizuara para ndërtesës së kësaj komune.

Pjesëtarët e KFOR-it janë para objektit komunal dhe po qëndrojnë përballë protestuesve.

Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, serbët po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës.

Si pasojë e veprimeve të protestuesve kanë mbetur të lënduar disa policë dhe pjesëtarë të KFOR-it. Gjithashtu, janë djegur dhe dëmtuar vetura të Policisë së Kosovës dhe të mediave.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë.

Ky veprim i institucioneve të Kosovës është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian derisa kanë kërkuar shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri.

Javën që shkoi, ndërkombëtarët i kërkuan Kosovës që të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës.

Pas situatës së krijuar në veri të vendit, sot dhe nesër në Kosovë do të qëndrojnë i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

/KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!