“Këtë rol s’e honeps dot”, Mitro Çela tregon si e bindi Berisha Robert Ndrenikën të bëhej deputet

schedule18:46 - 10 Janar, 2022

schedule 18:46 - 10 Janar, 2022

Në 80-vjetorin e lindjes së aktorit të njohur Robert Ndrenika, gazetari Mitro Çela ka rrëfyer si e bindi Sali Berisha Ndrenikën të bëhej deputet. Ai tregon se pas 6 muajsh, Ndrenika e kishte ftuar për kafe duke i rrëfyer se “rolin” e deputetit nuk e honepste dot . “Rolin e deputetit nuk e honeps dot. Bëj të flas, më mbetet fjala në grykë. Shiko aktorët që kemi në parlament. Ai me baluke është nga Korça. Ka qenë spiun. Shiko këtë burrin karshi. Ka qenë diplomat dhe gjykatës në kohën e Enverit”.

Statusi

Shënim: Më 11 dhjetor Robert Ndrenika ka datëlindjen. Unë jam me fat: kam 60 vjet që jam mik me Bertin. Kam shkruar një esse. Ja vlen tya ribotoj.

Rreth viteve ’70 – të mora shtëpi në rrugën “Myslym Shyri”. Karshi pallatit zgjatej një rrugicë dhe në fund të saj qe një shtëpi e rrethuar me mur. Rrallë e tek shihja një derë që hapej e prej andej dilte një djalë i ri. Ishte Robert Ndrenika. Një ditë i zura pritë te tuneli. I zgjata dorën:

– Të kam parë në film!

– Të kam lexuar në gazetë. Të pëlqen teatri?

– Nuk e di ku bie dera e Teatrit Kombëtar.

– Mëkat! Vjen me mua të presim bileta? Rrallë i bie fati njeriut të shohë një kryevepër si “Pamje nga ura”. Madje të luajtur nga një artist i madh si Pirro Mani.

Nuk ia prisha më shumë për t’u mburrur se kisha mik Robert Ndrenikën. Nga ajo ditë nuk i jam ndarë teatrit. Berti u bë sebep që unë të kisha miqësi me ajkën e aktorëve dhe regjizorëve: Dhimitër Anagnosti, Pirro Mani, Kadri Roshi, Sandër Prosi, Sulë Pitarka, Tinka Kurti, Ndriçim Xhepa, Roland Trebicka…

Më 31 mars 1991 u bëra deputet i PD – së. Punoja ndërkohë në gazetën “RD”. Bie dera. Futet Berti:

– U bëre deputet, mo Miti? Urime! Po bëre një vërë në ujë, do të të qajmë si te filmi “Të vranë, o Miti, të vranë…” Politika de! Të njoh. Je djalë i urtë. Ndërsa politika kërkon çakej. Me të lexuar e kam dhe unë…

Shkurt 1992. Isha graduar kryeredaktor i “RD” – së. Isha caktuar edhe për deputet në Patos. Pa trokitur futet në zyrë Berti. U ul. Ngrysi vetullat. Lëshoi duart. Asnjë fjalë.

– Të paska ngrënë gomari bukën?

– Më thirri në zyrë Sali Berisha. Regjizori juaj i PD – së: Më tha: Populli i Dumresë të do për deputet… I plasi barku për mua, po thash mendohu… Përgjigjen e do pas tre ditëve… Rrugës për te zyra jote m’u kujtua koha e qoftëlargut… Kur do të bëhej ndonjë film, më thërriste regjizori. “Bert! Kam një skenar të bukur. Të dua edhe ty në film. Por ti e di vetë. Ke rol negativ.” Më ishte arratisur vëllai në Gjermani. Isha me kleçkë në biografi. Edhe propozimi i Berishës më kujtoi regjizorët e filmave. Ti si thua?

– Unë them pranoje. Por pyet shtatë a tetë dhe bën si do vetë.

– Na qenke bërë edhe diplomat, mo Miti?!

Dhe të dy u zgjodhëm deputetë. Rrinim së bashku nga fundi i sallës. Kaluan 6 muaj. Berti si në gjemba më fton për kafe.

– Më more në qafë. Në skenë luaj çdo rol. Prefekt. Yzmeqar. Aga. Partizan. Ballist. Rolin e deputetit nuk e honeps dot. Bëj të flas, më mbetet fjala në grykë. Shiko aktorët që kemi në parlament. Ai me baluke është nga Korça. Ka qenë spiun. Shiko këtë burrin karshi. Ka qenë diplomat dhe gjykatës në kohën e Enverit. Sot ka vënë në grykë të topit këdo që i del përpara. Shiko këtë ministrin. Thonë se nuk ka ku fut paratë, që ia vjedh miletit… Po më zihet fryma… Dua të iki një orë e më parë, por më kanë zënë kokën me derë njerëzit e thjeshtë që më dhanë votën. Për një gjë jam i sigurtë. Nuk do të gjendet regjizor të më mbushi kaptinën të bëhem përsëri deputet…

Dhe e mbajti fjalën.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!