“Kështu s’është as në Korenë e Veriut”, Serbia mashtron punëtorët e dorëhequr serbë

schedule10:44 - 7 Prill, 2023

schedule 10:44 - 7 Prill, 2023

Lista Serbe dhe e ashtuquajtura Zyra për Kosovë ua anuluan pagat dhjetë punëtorëve në Komunën e Leposaviqit, të cilët iu bindën vendimit për largim nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022. Të njëjtit po thonë se janë mashtruar rëndë nga shteti serb dhe se ajo që po ndodh në veri të Kosovës është terror i shkaktuar nga Lista Serbe.

Punëtorët serbë që mbetën pa paga i janë drejtuar me një letër të hapur institucioneve në Serbi dhe Listës Serbe, duke u thënë se do të kërkojnë nga institucionet e Kosovës që t’i lejojnë të kthehen në vendet e tyre të punës.

“Do tu drejtohemi të gjitha autoriteteve, si institucioneve shtetërore ashtu edhe atyre ndërkombëtare, sepse kjo që po ndodh këtu në veri të Kosovës është terror nga përfaqësuesit e Listes serbe. kështu nuk është as në Korenë e Veriut”, deklarojnë ata.

“Tani njerëzit kanë mbetur pa paga dhe askush nuk dëshiron t’i dëgjojë”, shkruan një faqe e komunitetit serb në Facebook.

Letra e plotë punëtorëve nga Leposaviqi:

“Po e informojmë opinionin si në Kosovë ashtu edhe në Serbi për vendimet dhe veprimet e fundit të kundërligjshme të përfaqësuesve të Listës Serbe, kryetarit të Komunës së Leposaviqit dhe drejtorit të Zyrës për Kosovën, dhe kjo është se 10 punëtorëve në komunën e Leposaviqit u janë pezulluar të hyrat personale, gjegjësisht pagat edhe pse rregullisht i kryenim detyrat e punës dhe ishin në vendet e tyre të punës.

Me ftesë të vendit tonë, Serbisë, në nëntor të vitit 2022, të gjithë dhamë dorëheqje nga pozitat tona në sistemin e Kosovës dhe kaluam në sistemin serb, d.m.th. Republika e Serbisë filloi të na japë rrogën.

Atë rrogë e kemi marrë deri dje, kur të gjithë kolegët e tjerë e kanë marrë rrogën, përveç ne 10.

Prandaj, tani i pyesim publikisht të gjitha institucionet kompetente, kryetarin e Komunës së Leposaviqit dhe drejtorin e Zyrës për Kosovë, pasi që ata tashmë e dinë këtë dhe qëndrojnë drejtpërdrejt pas këtij vendimi të kundërligjshëm, dhe po ashtu e pyesim presidentin Vuçiq se pse na është pezulluar paga nga e cila i mbajmë dhe ushqejmë fëmijët tanë është dhe jo vetëm që na është pezulluar rroga, por edhe na është hequr e drejta për të punuar dhe e drejta për një jetë normale dhe është e vetmja gjë që na duhet të bëjmë tani është të largohemi nga Kosova me familjet tona.

Ditët e fundit patëm rastin të dëgjojmë përfaqësues të Listës Serbe si duhet të jetojmë në një shoqëri demokratike dhe të drejtat themelore të njeriut dhe liritë duhet të sigurohen për të gjithë qytetarët në veri të Kosovës, andaj tani i pyesim publikisht nëse këto të drejta për punë dhe e drejta për të jetuar tani na janë hequr nga shqiptarë apo përfaqësues të Listës Serbe  dhe vendi ynë Serbia?

Përveç institucioneve të Republikës së Serbisë dhe Presidentin Vuçiq, do të detyrohemi t’u drejtohemi institucioneve të Prishtinës për të na kthyer në vendet tona të punës ku kemi qenë edhe para nëntorit 2022, pasi siç janë gjërat tani, institucionet në Serbi nuk kanë nevojë për ne dhe jemi mashtruar rëndë nga shteti ynë Serbia për shkak të thirrjes për dorëheqjet që dhamë.

Do tu drejtohemi të gjitha autoriteteve, si institucioneve shtetërore ashtu edhe atyre ndërkombëtare, sepse kjo që po ndodh këtu në veri të Kosovës është terror nga përfaqësuesit e Listës serbe. kështu nuk është as në Korenë e Veriut.”/KosovaPress