Këshilltari i Zelenskyt: Ne nuk përdorim taktika të shekullit të kaluar, por synojmë të krijojmë kaos brenda forcave ruse

schedule08:32 - 17 Gusht, 2022

schedule 08:32 - 17 Gusht, 2022

Ukraina synon të realizojë një kundërsulm që të krijojë “kaos brenda forcave ruse” duke goditur linjat e furnizimit të pushtuesve thellë në territoret e pushtuara.

Këshilltari kryesor i presidentit, Volodymyr Zelenskiy, ka zbuluar për The Guardian lëvizjen e radhës së trupave ukrainase, ndërsa shtoi se mund të ketë më shumë sulme në “dy ose tre muajt e ardhshëm” të ngjashëm me sulmet misterioze të së martës në një kryqëzim hekurudhor dhe një bazë ajrore në Krime, si dhe me goditjen e javës së kaluar ndaj avionëve luftarakë rusë në aerodromin Saky të gadishullit.

Duke folur nga zyrat presidenciale në Kiev, Podolyak tha: “Strategjia jonë është të shkatërrojmë logjistikën, linjat e furnizimit dhe depot e municioneve dhe objekte të tjera të infrastrukturës ushtarake.

Kjo krijon një kaos brenda forcave të tyre”, tha ai.

Podolyak, i cili është përshkruar shpesh si figura e tretë më e fuqishme e vendit, tha se qasja e Kievit binte ndesh me politikat ushtarake ruse në rajonin e Donbasit, ku janë shkatërruar qytete të tëra me qëllimin e vetëm për të përfituar më shumë territore.

“Rusia i ka mësuar të gjithëve se një kundërsulm kërkon sasi të mëdha të fuqisë ushtarake , por një kundërofensivë ukrainase duket shumë ndryshe. Ne nuk përdorim taktikat e viteve 60-70, të shekullit të kaluar”, tha ai.

Megjithatë, vërejtjet mund të interpretohen gjithashtu si një mënyrë se Ukraina po përpiqet të grumbullojë sasinë e njerëzve dhe mjeteve ushtarake të nevojshme për të mbështetur një kundërofensivë të plotë në jug të vendit, e cila zakonisht kërkon një epërsi prej tre ose më shumë ushtarëve ndaj një.

Në vend të kësaj, Ukraina është përpjekur të shkëpusë Kherson, i vetmi qytet i mbajtur nga Rusia në bregun perëndimor të lumit Dnieper, duke dëmtuar urat rrugore dhe hekurudhore duke përdorur raketat perëndimore deri në pikën ku Rusia nuk ka më mundësi t rifurnizojë forcat e saj në mënyrë efektive, raporton abcnews.al.

Në fazën e hershme të konfliktit, ushtria ruse nuk arriti të pushtonte Kievin pasi forcat pushtuese u bllokuan në rrugët që të çonin në qytet, duke i bërë ato të pambrojtura ndaj këmbësorisë ukrainase dhe armëve antitank.

Këshilltari presidencial sugjeroi se sulmi i javës së kaluar në bazën ajrore mund të ishte vepër e partizanëve, por hodhi poshtë çdo sugjerim se mund të kishte qenë një aksident, siç kishte deklaruar  Moska.

Ai tha gjithashtu se Ukraina e konsideron urën e Krimesë që lidh gadishullin e pushtuar me kontinentin rus si një objektiv legjitim ushtarak.

“Është një ndërtim i paligjshëm dhe porta kryesore për të furnizuar ushtrinë ruse në Krime. Objekte të tilla duhet të shkatërrohen”, tha ai.

Edhe pse Ukraina ka refuzuar të marrë përgjegjësinë publikisht për sulmin në bazën ajrore Saky, ajo e ka bërë këtë në mënyrë private dhe incidenti ka ndodhur në kohën kur një varg objektivash strategjike ruse janë goditur thellë pas vijës së frontit.

Podolyak, i cili ishte një negociator i bisedimeve të paqes në fazat e hershme të konfliktit, tha se nuk kishte asnjë perspektivë që Rusia të negocionte seriozisht derisa të përjetonte një disfatë në fushën e betejës.

Ai tha se disa vende europiane të paidentifikuara ishin “nën iluzionin” se Kremlini mund të kërkojë bisedime me mirëbesim. Johnson i kishte ofruar “mbështetje personale dhe emocionale” Zelensky në “ditën më të errët të historisë së Ukrainës”, tha Podolyak.

Kontributi i Mbretërisë së Bashkuar do të mbahet mend për shekuj, tha ai.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!