Nga Moska, këshilltari për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Xhon Bolton ka mohuar zërat se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të shantazhojnë Rusinë me tërheqjen nga traktati i armëve bërthamore. Në një intervistë për stacionin radiofonik “Eko Moska”, Bolton deklaroi se, Uashingtoni nuk ka vendosur ende nëse do të vendosë në Europë raketa në drejtim të Rusisë. Ndër të tjera, Bolton theksoi se ndërhyrja ruse në zgjedhjet amerikane ka patur efekte të papërfillshme, por nënvizoi se një veprim i tillë nuk mund të tolerohet.
“U thash homologëve rusë se ndërhyrja e tyre në procesin tonë zgjedhor zor se kishte patur një efekt të fortë”, shtoi Bolton për radion ruse. Në vijim të intervistës, këshilltari i Trump foli edhe për vrasjen e gazetarit saudit Xhamal Kashogi dhe për bisedimet që Uashingtoni po zhvillon me autoritetet arabe. “Ne nuk duam vetëm fjalë, por të zbulohet e vërteta. Duam të dimë përse u vra dhe kush e vrau. Duam transparencë të plotë për këtë ngjarje”, tha Bolton./abcnews.al