Këshilltari i ri i Trump ka dhënë deklarata kundër Kosovës

schedule14:19 - 23 Mars, 2018

schedule 14:19 - 23 Mars, 2018

Ndërkohë, këshilltari i ri i Presidentit amerikan, Donald Trump, për Sigurinë Kombëtare njihet për qëndrimin e tij kundër pavarësisë së Kosovës. John Bolton ka paralajmëruar vite më përpara se mbështetja e pavarësisë do t’i shkaktonte Uashingtonit përplasje të mundshme me Moskën.

Ndryshimet e fundit në administratën amerikane nuk favorizojnë shqiptarët. John Bolton, i cili në Prill do të marrë zyrtarisht detyrën si këshilltar i Presidentit Donald Trump për Sigurinë Kombëtare, në të kaluarën nuk e ka fshehur qëndrimin e tij kundër Kosovës dhe pavarësisë së këtij vendi. 69-vjeçari që mban nofkën “fajkoi i luftës”, njihet për deklaratat e tij që ngjallin polemika. Në vitin 2008, Bolton kundërshtoi pavarësinë e Kosovës duke vlerësuar se vazhdimi i negociatave “është mënyra e vetme për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Ish-ambasadori amerikan në OKB kërkoi madje nga shtetet e rajonit që të mos njohin Kosovën, pasi “bëhet fjalë për konceptin që njerëzit me origjinë të ndryshme etnike të jetojnë bashkë në kuadër të kufijve të shteteve heterogjene”.

“Precedenti i Kosovës mund të shndërrohet në problem për vendet e ish-Jugosllavisë dhe Europës që janë multietnike”, ka thënë ai në 2008-n për Zërin e Amerikës.

Madje, Bolton ka përmendur edhe ndarjen e Kosovës, duke thënë se pjesët e banuara me serbë do të orientohen nga Serbia dhe do të provojnë ndarjen nga Kosova. 69-vjeçari pretendon se mbështetja e pavarësisë së Prishtinës, do të shkaktojë përshkallëzim të mardhënieve me vende të tjera, si dhe do të sjellë konfrontime të reja në Ballkan.

“Pasi çështja e statusit të Kosovës u zgjidh kundër vullnetit të Beogradit, por edhe të fuqive tjera, siç është Rusia dhe Kina nuk ka dyshim që me kalimin e kohës ky problem lokal do të mundë të çonte në tensione ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës”, është shprehur disa vite më para Bolton./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!