Këshilli Kombëtar miraton rezolutën për Presidentin, “rrëzon” grupin parlamentar të PD: Konsensus i rremë nga maxhoranca

schedule18:24 - 6 Maj, 2022

schedule 18:24 - 6 Maj, 2022

Këshilli Kombëtar i PD i zgjedhur në Kuvendin e 30 prillit i thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha, ka miratuar projekt rezolutën e Komisionit të Rithemelimit për zgjedhjen e presidentit të ri. Në draftin e lexuar nga Oerd Bylykbashi, mandatohet Komisioni i Rithemelimit për të përcaktuar përfaqësuesit e PD-së në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri.  Bylkbashi theksoi se çdo veprim që bie ndesh me këtë rezolutë nuk përfaqëson Partinë Demokratike.

REZOLUTË E RITHEMELIMIT MBI PROCESIN E ZGJEDHJES SË PRESIDENTIT

Më 24 korrik 2022, mbaron mandati i Presidentit të Republikës. Kuvendi i Shqipërisë duhet të nisë procedurat për zgjedhjen e Presidentit jo më vonë se 60 ditë përpara fundit të mandatit. Procesi kushtetues dhe tradita politike dhe parlamentare në Shqipëri synojnë konsensusin më të gjerë politik për Presidentin si përfaqësues i unitetit të popullit.

Në këto kushte, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike vëren se: Maxhoranca socialiste, në mënyrë sistematike ka kapur pushtetet e pavarura përfshirë atë të drejtësisë, duke rrënuar sistemin kushtetues të kontrolleve dhe balancave. Edi Rama aktualisht kontrollon rreth 90% të pushtetit publik dhe kapja e institucionit të Presidentit prej tij do të siguronte pushtet absolut, të paprecedent edhe në periudhën e diktaturës para rënies së regjimit komunist.

Zgjedhja e Presidentit të Republikës ka rëndësi themelore në kuadër të rikrijimit të një sistemi kontrollesh dhe balancash kushtetuese dhe të mbajtjes së unitetit të popullit. Si e tillë, zgjedhja e Presidentit është një akt sovraniteti kushtetues që nuk duhet të prodhojë konflikt politik dhe institucional, por duhet të synojë qeverisjen me përgjegjësi ndaj popullit prej të cilit buron sovraniteti.

Zhveshja e Presidentit nga kompetenca të rëndësishme kushtetuese me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, duke zvogëluar rolin kontrollues dhe balancues të Presidentit, nuk pakëson rëndësinë e tij si kreu i shtetit. Në këtë kuadër, merr një rëndësi edhe më të madhe procesi i identifikimit të kandidaturave dhe zgjedhjes së tij. Kushtetuta synon gjetjen e konsensusit më të gjerë dhe të vërtetë mbi një figurë që bën bashkë politikën dhe aspekte të tjera të sferës publike, një konsensus politik dhe parlamentar që i ka rrënjët në legjitimitetin e dalë nga vota. Raporti i OSBE/ODIHR-it dhe ai i DASH-it si dhe një numër procedimesh penale damkosin me vulën e korrupsionit dhe të shit-blerjes së votës mandatet që i japin
shumicën parlamentare Partisë Socialiste.

Kjo shumicë dhe legjitimiteti i saj për zgjedhjen e Presidentit, ashtu si në vitin 2002, është vënë në pikëpyetje. Ashtu siç Parlamenti Europian ne vitin 2001, pas masakrës zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të atij viti dhe krizës politike që e pasoi, kërkoi që Presidenti të zgjidhej me konsensus pavarësisht se maxhoranca socialiste e kishte shumicën e nevojshme për zgjedhjen e tij, po ashtu procesi aktual i zgjedhjes së Presidentit me konsensus është me rëndësi për stabilitetin
politik.

Një proces i njëanshëm i shërben vetëm krizës së tejzgjatur. Maxhoranca socialiste po përpiqet të krijojë një proces parlamentar farsë dhe politikisht steril duke u përpjekur t’i caktojë ajo përfaqësuesit e opozitës në procesin e zgjedhjes së Presidentit. Me këto përpjekje dhe konsultime pa përfaqësuesit e mandatuar nga forcat politike, maxhoranca socialiste po përpiqet të sajojë një dukje konsensualiteti të rremë. Partia Demokratike e denoncon këtë si sjellje që i kontribuon thellimit të krizës politike, institucionale dhe kushtetuese në vend, dhe që dëmton legjitimitetin e procesit dhe besueshmërinë e Presidentit të ardhshëm.

Konsensusi që synon Kushtetuta në zgjedhjen e Presidentit të Republikës nuk është një proces formal legjislativ parlamentar por ka karakter thelbësisht politik. Si e tillë, zgjedhja
e Presidentit mund të bazohet vetëm në vullnete të vërteta politike të përfaqësuara nga partitë politike, të mandatuara me votë për të përfaqësuar zgjedhësit.

Tradita politike dhe parlamentare në Shqipëri është bazuar gjithnjë në përpjekjen për gjetjen e konsensusit politik dhe parlamentar për figurën e Presidentit të Republikës nëpërmjet konsultimeve politike në nivelet më të larta politike të partive parlamentare. Thyerja e traditës politike dhe parlamentare zhbën premisat për konsensus të vërtetë. Në kushtet e mosbesimit të thellë, ofrimi opozitës parlamentare i përzgjedhjes së kandidatëve mbi bazë kriteresh të dakordësuara me konsensus, që synojnë kandidatura që përfaqësojnë më së miri unitetin e popullit, do të kontribuonte sado pak në rivendosjen e balancave kushtetuese, shmangien e kapjes së plotë të pushteteve nga Partia
Socialiste dhe evitimin e thellimit të krizës politike.

Vullneti politik i Partisë Demokratike bazohet vetëm tek vota përfaqësuese e anëtarësisë PD dhe zgjedhësve të saj. Rezoluta e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike të datës 30 prill 2022 refuzon bojkotin si instrument politik. Për sa më sipër, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, me këtë rezolutë vendos: Partia Demokratike do të shprehë vullnetin e saj për zgjedhjen e Presidentit të Republikës me votën e deputetëve të grupit të saj parlamentar, në çdo rast pa u bërë pjesë e farsave institucionale të maxhorancës socialiste.

Mandatohet Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike të caktojë përfaqësuesit për gjetjen e një qëndrimi të përbashkët me partitë e tjera opozitare në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës në Kuvendin e Shqipërisë. Në rast se në procesin politik dhe parlamentar të gjetjes së kandidaturave, krijohen kushtet për konsensus për votimin e Presidentit nga kandidatë të propozuar nga opozita, mandatohen përfaqësuesit e Partisë Demokratike që bashkarisht me përfaqësuesit e tjerë të partive opozitare, të propozojnë kandidatë në raundet e përcaktuara nga Kushtetuta.

Çdo alternativë që mundëson zgjedhjen e Presidentit me votat e Partisë Socialiste, apo të siguruara pa konsensus politik të vërtetë, do të refuzohet me votë në Kuvend. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, në përputhje me Statutin e Partisë Demokratike dhe nenin 4 të Rregullores së Grupit Parlamentar, siguron zbatimin e qëndrimit politik të Partisë Demokratike të përcaktuar në këtë rezolutë. Çdo qëndrim që bie ndesh me këtë rezolutë detyruese dhe tagrat përfaqësuese politike të rrjedhur nga vendimet e organeve përfaqësuese të Partisë Demokratike, nuk përfaqesojnë Partinë Demokratike në procesin e zgjedhjes së Presidentit“.

Mbledhja e Këshillit Kombëtar vjen një ditë pasi kryetari i Komanduar i PD Enkelejd Alibeaj thirri grupin parlamentar në selinë e PD për të diskutuar mbi negociatat për Presidentin e ri.  Alibeajt nuk i shkuan 31 deputetë demokratë. Refuzimi i grupit të Rithemelimit ishte i pritshëm ndërsa nuk dihet arsyeja e mungesës së 16 deputetëve të tjerë. Alibeaj tha se nuk e sheh bojkotin si çështje numrash dhe as si braktisje nga grupi i tij.

Alibeaj tha se nuk e njeh mbledhjen e këshillit të ri kombëtar të thirrur sot nga Rithemelimi, ku u vendos për qëndrimin mbi procesin e përzgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Ai e quajti institucion paralel, që synon ndarjen e demokratëve. “Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike? Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike nuk mblidhet nesër. E kuptoj pyetjen që më bën. Jo. PD i ka institucionet e veta. Ka kryesinë e saj, ka Këshillin Kombëtar, Ka Kuvendin e saj të zgjedhur dhe të regjistruar. Nëse flisni pastaj për institucione paralele, unë besoj që kjo… “

I gatshëm për të negociuar me maxhorancën, Alibeaj u kërkoi dje deputetëve të paraqesin kriteret për profilin e Presidentit të ri, ndërsa bëri me dije se të hënën do të zhvillohet një tjetër mbledhje.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!