Këshilli i Imuniteteve shtyn për nesër vendimin për heqjen e mandatit të Tahirit

schedule21:30 - 20 Tetor, 2017

schedule 21:30 - 20 Tetor, 2017

Prokurorët e Krimeve të Rënda treguan para Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit se kanë rregjistruar një procedim penal kryesisht ndaj Saimir Tahirit, në datë 17 tetor, pasi në media u publikuan përgjimet italiane të Habilajve ku përmendej emri i ish-ministrit të Brendshëm.

 

Një ditë më pas, më 18 tetor, Prokuroria i është drejtuar autoriteteve italiane duke i kërkuar dosjen, nga e cila i ka ardhur një ditë më pas vetëm një pjesë, për shkak të volumit të materialit.

Sipas prokurorëve, materiali i mbërritur është administruar nga Prokuroria më datë 19 tetor, dy ditë pas nisjes së hetimit ndaj Tahirit, ndërkohë që po në të njëjtën datë, organi i Akuzës iu drejtua Kuvendit për të kërkuar autorizimin për arrestimin e ish-ministrit.

Pavarësisht se kishin kaluar vetëm dy ditë nga nisja e hetimeve, prokurorët ishin të bindur se ekzistonte dyshimi i arsyeshëm bazuar mbi prova, për të kërkuar arrestimin e Tahirit, në lidhje me akuzën e trafikut të narkotikëve në bashkëpunim, në formën e grupit kriminal, si dhe korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë.

Të vetëdijshëm se hetimet italiane nuk kanë nisur asnjë procedim ndaj Tahirit, deputetët socialistë ia kthyen këtë prokurorëve në formë pyetjeje.

Gjatë mbledhjes shumëorëshe të Këshillit, përveç deputetëve anëtarë edhe vetë Saimir Tahiri iu drejtua me pyetje prokurorëve. Ish-ministri u ndal gjatë te hetimi që i kishte kërkuar vetë Prokurorisë të kryente në vitin 2015, kur për herë të parë u akuzua se makina që u kishte shitur Habilajve ishte përdorur për trafik.

Tahiri kërkoi gjithashtu të dinte nga prokurorët ku e bazonin pretendimin se kishte udhëtuar me habilajt.

Këtë herë nuk mori përgjigje por pyetjet i vazhdoi.

Më pas mbledhja vijoi për dy orë me dyer të mbullura, ku prokurorët paraqitën prova për të cilat thanë se nuk mund të bëheshin publike për shkak të sekretit hetimor.

Me rikthimin e medias në sallë, avokati i Tahirit kërkoi 3 ditë kohë për përgatitjen e mbrojtjes.

Demokratët kundërshtuan.

Ndërsa socialistët e mbështetën kërkesën

Gramoz Ruçi i refuzoi të dyja qëndrimet, duke shtyrë vetëm me një ditë mbledhjen.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!