Me tymuese, mjete piroteknike dhe vezë kanë protestuar këtë të enjte para Bashkisë së Tiranës banorët e Unazës së Re, të cilët preken nga projekti për zgjerimin e rrugës.
Ndërsa brenda dyerve të bashkisë zhvillohej mbledhja e Këshillit Bashkiak jashtë tyre banorët me thirrje kundër kryetarit të bashkise Erion Veliaj kërkonin dëmshpërblim 100% për pronat e tyre.
Por kryebashkiaku ishte jashtë vendit dhe mbledhja drejtohej nga nënkryetari Andi Seferi. Në sallë mungonin edhe këshilltarët e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ata mbështesnin banorët jashtë saj bashkë me deputetë të opozitës.
Ndërsa tentonin të çanin kordonin e Policisë Bashkiake për të hapur derën e institucionit, banorët kanë shkaktuar tension dhe përplasje nga e cila sipas bashkisë disa policë janë lënduar. Pas rreth një orë e gjysmë qëndrimi para bashkisë, banorët u shpërndanë me thirrjen për t’u rikthyer sërish.
Po kaq kohë iu desh edhe socialistëve në Këshillin Bashkiak për të miratuar projektvendimet e planifikuar për këtë mbledhje. Ndërkohë pas afro dy orësh nga mbyllja e protestës, kryetari i Bashkisë së Tiranës reagoi ne Twitter.
“Mirënjohje të thellë policëve bashkiakë për qytetarinë përballë partisë së dhunës, hurit e zjarrit! Shërim të shpejtë3 oficerëve të plagosur! Si tek Lodrat, Sheshi & Pazari, puna do e mundë dhunën, dhe qyteti do triumfoje mbi barbarinë! Ta harrojnë, Tirana nuk ndalet më”, shkruan kryebashkiaku Erion Veliaj.