Kevin Prince Boateng ka mbetur i lidhur me Milanin. Ganezi provoi dy aventura me kuqezinjtë dhe Zlatan Ibrahimovic ishte një ndër shokët më të fortë të skuadrës. 33-vjeçari, i cili është huazuar nga Fiorentina te Besiktas, ndalet te gjiganti suedez në një prononcim për Sky Sport dhe këshillon Milanin t’i zgjasë kontratën.
“Milani duhet ta mbajë Ibrahimovic, ai bën akoma diferencën. Zlatan mund t’i ndihmojë shumë kuqezinjtë. Ai është shumë inteligjent, i jep rëndësi çdo detaji dhe di të komunikojë me shokët e skuadrës. Kjo është një nga pikat e tij më të forta. Unë e kam patur të lehtë të luaja me Ibrën, e kuptova menjëherë tipin që kishte.
I kërkonte shumë shokëve, por më ka krijuar shumë hapësira, më ka dhuruar shumë topa dhe kam shënuar gola falë tij. Ishte shoku perfekt. Të kritikonte nëse nuk i pasoje mirë topin, i kritikonte të gjithë, e njëjta gjë ndodhte edhe kur dikush humbiste ndonjë rast të pastër. Por, duke bërë këtë, ai të mësonte të përmirësoheshe”, deklaron Kevin Prince Boateng. /abcnews.al