KESH arkëton rreth 27 milionë euro nga shitja e energjisë në tregun e lirë

schedule07:51 - 4 Maj, 2021

schedule 07:51 - 4 Maj, 2021

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka zhvilluar disa dhjetëra procedura shitjeje energjie në katër muaj të këtij viti, duke arkëtuar rreth 27 milionë euro prej tyre.

Bëhet fjalë për shitje me periudha të shkurtra dyditore deri në njëjavore dhe që nëse i mbledhim të gjitha së bashku, japin një sasi energjie prej 662 Gigavat shitje në tregun e lirë.

Njëkohësisht KESH ka vijuar të plotësojë edhe kërkesën e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike lidhur me furnizimin për konsumatorët fundorë.

Kjo shihet tek fakti që vetë OSHEE, e cila vitin e shkuar shpenzoi mbi 120 milionë euro për blerje energjie në tregun e lirë për të plotësuar konsumin, gjatë këtyre muajve të fundit nuk ka hapur procedura për blerje.

Përkundrazi, situata e favorshme hidrike ka bërë që vetë OSHEE të tregtojë tepricat e energjisë që merr nga prodhuesit me përparësi që janë hidrocentrale me fuqi të instaluar deri në 15 MW.

Viti 2021 pritet të jetë një vit më i mirë në aspektin e prodhimit të energjisë, i përkufizuar jo vetëm nga situata e mirë hidrike, por edhe nga vënia në prodhim e centraleve të rinj, ku vetëm në 2020 ishin 20 të tillë.

Për KESH duket se viti ka nisur më mirë në aspektin financiar po të kemi parasysh se viti 2020 cilësohet si një vit jo i mirë hidrologjik me një prodhim total 5,313 GWh. Një fakt të tillë do ta nënvizonte edhe ERE në raportin vjetor.

“Sasia e prodhuar rezulton të jetë nën mesataren e prodhimit të energjisë elektrike në periudhën 2009 – 2020, e cila është në vlerat 5,882 GWh.

Prodhimi i realizuar për Vitin 2020 rezulton rreth 10 % më i ulët se mesatarja e prodhimit për periudhën 2009 – 2020. Kjo për faktin se, prurjet e ujit në basenet e impianteve kryesor të prodhimit të energjisë elektrike kanë qenë në tërësinë e tyre nën mesataren shumë vjeçare.

Është vërejtur se gjithashtu se prurjet mesatare të ujit në basenin kryesor të administruar nga ana e KESH sh.a., në basenin e Hidrocentralit të Fierzës janë përgjithësisht nën mesataren historike dhe vetëm në muajin Tetor rezultojnë me rreth 23 m3/sek më të larta se mesatarja shumëvjeçare, duke krahasuar prej vitit 1991.

Në këtë kuadër Viti 2020 konsiderohet si një vit jo i mirë hidrologjik edhe për faktin se pavarësisht rritjes së kapaciteteve prodhuese përgjatë Vitit 2020, prodhimi total i energjisë elektrike për këtë vit ka rezultuar në sasinë 5,313 GWh, ose rreth 569 GWh më pak se prodhimi mesatar i energjisë elektrike në periudhën 2009 – 2020” vlerëson ERE./monitor/