Kërkesa për shkarkim/ Nikolla: E prekur, por nuk tërhiqem.Të kontribuojmë që Kuvendi të mos jetë arenë grindjesh

schedule15:47 - 16 Shkurt, 2023

schedule 15:47 - 16 Shkurt, 2023

TIRANË- Kryetarja e Kuvendit ka komentuar kërkesën e 28 deputetëve të opozitës, të cilët kërkuan shkarkimin e saj nga detyra. Teksa tha se ndihet e prekur, Nikolla shtoi se kjo kërkesë nuk ka themel dhe nuk ka shkaka, ndaj e cilësoi si qasje të paarsyeshme. Ajo apeloi që Kuvendi i Shqipërisë të jetë një tempull debati dhe jo një arenë grindjesh.

“Prita me qetësi 28 deputetë të opozitës me shkarkimin tim. Duhet të kontribuojmë që Kuvendi të mos jetë një arenë grindjesh. Nuk e paragjykoj këtë kërkesë tuajën përballë trysnisë dhe halleve që keni brenda partisë. E ndjeni se kjo kërkesë nuk është ajo që i duhet Kuvendit të Shqipërisë. Kësaj kërkesE i mungon themeli, ka një qëllim dhe nuk ka një shkak”, tha Nikolla.

Ajo ia bëri të qartë opozitës se do të zbatojë Kushetutën dhe për këtë tha se do të punojë me të gjitha palët, pa përjashtim.

“Në atë kërkesë është emri por jo dëshira juaj, jo zëri juaj i brendshëm, ju e mbështesni kërkesën tuaj në interpretime jo në fakte. Edhe pse e nisëm bashkëpunimin ju duke grisur fletët une duke bërë thirrje për paqe, nuk do të tërhiqem nga misioni im. Kërkesa nuk do të zëvendësojë bashkëpunim tonë.
Zbatoj kushtetutën dhe rregulloren, kam punuar e do punoj bashkë me ju. Me secilin prej jush, kemi patur një komunikim njerëzor, pse në sallë nuk kemi të njëjtën sjellje. Jam përballur e do përballem sy më sy. Kam qenë pranë jush si kolege. Edhe pse e keni tepruar me gjuhën në adresën time, nuk do ju përgjigjem kurrë me të njëjtën gjuhë. Bëj detyrën time, mbi palët.
Antagonizmi i opozitës, nuk më dekurajon në përpjekjet e mia, duke ju mbështetur kur keni të drejtë.
Thirrja ime për sinqeritet, mbetet konstante e pakushtëzuar. Besoni vertet se nuk dëshiroj vijimin normal të seancës. Është pak e cuditshme që kërkesa vjen pa u tharë boja e letrës që ju shkrova. Kërkesa juaj është një ikje nga kauzat e vërteta që i shërbejnë Shqipërisë. Në vend të shpëtoni shtëpinë e demokratëve, ju po rrezikoni shtëpinë e shqiptarëve”,  shtoi ajo.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!