Kërkuan rinumërim të votave, Berisha godet të vetët/ Çupi: Tani gjeti edhe punën e arbitrit brenda llojit

schedule23:38 - 31 Maj, 2025

schedule 23:38 - 31 Maj, 2025

TIRANË- Katër kandidatët humbës sipas Sali Berishës zgjodhën rrugën e gabuar për të kërkuar rinumërimin e votave të tyre.

Kryedemokrati e cilësoi keqkuptim ankimimin e Alimehmetit, Hajdarmataj, Hoxhes dhe Kucanes, të cilët as nuk e pyetën dhe as nuk e pritën, por u ankuan vetë në KAS.

Por si duhet parë ky qëndrim i Sali Berishës? Analisti Frrok Çupi i ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News u shpreh se ky zhvillim tregoi se zërat kundër Sali Berishës në Partinë Demokratike nuk mund të gjejnë hapësirë.

Sipas Çupit, Berisha përçoi mesazhin se nuk do të tolerojë zëra kundër tij në parti.

“Kjo tregon se Berisha e konsideron veten me fat se ka gjetur dhe një punë. Tani gjeti dhe punën e arbitrit midis të vetëve. Ky është një konflikt i hapur, i sajuar dhe i nisur që prej primareve. Gjeti një pune të supermacisë, sepse i dominon ato dhe u thotë se do ushqeheni vetëm me atë se çfarë u japë unë. Përsëri mbetet ajo, që njerëzit që thonë një fjalë kundër Berishës mbeten jashtë tij, mbeten jashtë partisë dhe jashtë parlamentit”, tha Çupi.

Ai theksoi se kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tashmë është i rrëzuar dhe ndodhet para drejtësisë.

“Berisha është i rrëzuar, tani pritet vetëm drejtësia. Nuk ka asnjë shpresë, është para drejtësisë”, tha ai.

Më tej, Çupi komentoi lëvizjet që mund të bëhen nga ana e mazhorancës, pasi të marrë detyrën e mandatit të katër në muajin shtator, detyrë të cilën ia besuan masivisht qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit 2025.

“Do ketë hapje të politikës, është hapja ligjore, janë ndryshimet kushtetuese, do ketë ndryshime në kushtetutë, do ketë hapje në raport me aleatët dhe me fqinjët. Raportin me fqinjët, kemi parasysh këtu rolin që ka Shqipëria te fqinjët. Do ketë ndryshime, të madha drejt përparimit në raport me median, publikun, fjalën e lirë, në radhë të parë më kualitetin dhe kjo është një barrë shumë e madhe që ka marrë perisper mazhoranca e Shqipërisë”, tha ai. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!